Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shpresat e Kosovës, mes përfaqësueseve të mira në Evropë

Plot 31 përfaqësuese kanë më pak pikë se Kosova në eliminatoret për "Euro 2019" për futbollistët deri 21-vjeç (Shpresa).

Kosova ka një ndeshje më shumë të luajtur se thuajse të gjitha 54 përfaqësueset që po paraqiten në kualifikime, ndërsa në short ishte përfshirë nga pozita e fundit e vazos së fundit, shkruan sot Koha Ditore.

Koeficienti i Kosovës ishte zero dhe në bazë të vazos ku gjendej mund t'i jenë parashikuar një apo dy pikë. Se Kosovës i janë parashikuar një apo dy pikë e ka pranuar përzgjedhësi Rafet Prekazi të martën mbrëma, pasi të përzgjedhurit e tij e arritën rezultatin më të madh të të gjitha përfaqësueseve të Kosovës në futboll deri më tash.

Kosova U-21 në stadiumin "Adem Jashari" në Mitrovicë e ndali në barazim pa gola Gjermaninë. Gjermania është superfuqi e futbollit. Në nivel të Shpresave është kampione aktuale e Evropës, nga viti 2017, derisa te seniorët është kampione në fuqi e botës. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).