Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shaqiri thotë se stili i Liverpoolit është i përsosur për të

Anëtari i ri i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, ka thënë se stili i lojës së “Të Kuqve” është i përsosur për të, teksa akoma pret debutimin e plotë për klubin.

Shaqiri iu bashkua Liverpoolit nga Stoke këtë verë, por ndeshjet i ka ndjekur nga banka rezervë duke u paraqitur pak minuta në fund.

Tani reprezentuesi i Zvicrës ka deklaruar se konkurrenca për vend në ekipin e parë është gjë e mirë për ekipin nga Anfieldi.

“Trajneri ka sjellë disa lojtarë të rinj këtë verë me kualitet të lartë që po ndihmojnë shumë. Ekipit i duhej pak konkurrencë në disa pozita sepse kjo ju bën më të mirë dhe më të fortë andaj mezi pres ndeshjet e radhës dhe kemi nisur shumë mirë”, ka thënë Shaqiri. “Besoj se mund të luaj në çdo pozitë përpara dhe trajneri e di këtë. Kam luajtur në të gjitha pozitat në miqësore, në pozitën e nëntëshit, si dhjetësh dhe si anësor edhe pse me trajnerin nuk kemi shumë anësorë të vërtetë pasi i ndërron pozitat me një lojtar që hyn brenda dhe tjetrin që del jashtë. Kjo është gjë shumë e mirë dhe më pëlqen ky stil i lojës së trajnerit. Është futboll i përsosur për mua. E njoh Kloppin gjatë kur isha në Gjermani dhe e dija se ishte gjëja e duhur për mua. Kam pasur disa opsione, por këtu u ndjeva më mirë”.

Klopp ka paralajmëruar ndryshime për ndeshjen e ardhshme me Leicesterin.