Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shaqiri kompleton stërvitjen e parë me Chicago Firen

Transferimi i Xherdan Shaqirit te Chicago Fire bëri bujë në SHBA. Nga ai pritet shumë, por edhe vetë reprezentuesi shqiptar i Zvicrës, beson se do të ketë sukses me skuadrën e re.

Ai të premten ka kompletuar edhe stërvitjen e parë dhe është ndarë shumë i kënaqur me bashkëlojtarët.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe po ushtroj me djemtë dhe ekipin në tërësi. Është një grup i mirë dhe të gjithë janë të lumtur. Mezi presim që të nis sezoni”, tha fillimisht Shaqiri në intervistën e parë dhënë për sajtin zyrtar të klubit.

Ai më pas tregoi edhe për synimet që i ka me skuadrën e re.

“Dua vetëm të jem i suksesshëm, dua ta ndihmoj skuadrën të rritet. Dua që ta shfaq eksperiencën time edhe te lojtarët e rinj dhe dua të fitoj ndeshje. Dua të rritem bashkë me këtë klub. Mezi pres të filloj dhe dua të jem i suksesshëm”, u shpreh Shaqiri.

Sulmuesi i krahut me prejardhje nga Gjilani, ka karrierë të ndritur si lojtar.

Ishte pjesë e skuadrave si Baseli, Bayerni, Interi, Stoke City, Liverpooli e Lyoni. Ka fituar shumë trofe të rëndësishëm në karrierën e një futbollist.

Por, ai pret nga lojtarët që të jenë të koncentruar në çdo stërvitje në mënyrë që sukseset të mos mungojnë.

“Stërvitja e parë ishte shumë zbavitëse. Pash djem shumë të mirë të cilët dëshirojnë të punojnë fort dhe të mësojnë. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Duhet të punojmë fort në fushë dhe të jemi të koncentruar në stërvitje. Mezi pres të nis sezonin me bashkëlojtarë”, përfundoi 30-vjeçari.

 

Artikuj të ngjashëm