Sport

Shaqiri: Jemi të fokusuar vetëm në vetvete, vështirë ndaj Fulhamit

Xherdan Shaqiri thotë se Liverpooli duhet të jetë i fokusuar vetëm në vetvete dhe të mos shikojë ekipet e tjera pasi është ende herët.

“Mendoj se duhet të injorojmë rezultatet e ekipeve të tjera. Duhet të shikojmë veten dhe të performojmë javë pas jave, të provojmë të qëndrojmë në nivelin më të lartë dhe të fitojmë ndeshjet në mënyrë që në fund të sezonit të mund të themi se jemi krenar me lojën në këtë sezon dhe dhamë gjithçka”, ka thënë Shaqiri për faqen zyrtare të klubit, transmeton Koha.net.

Ai ka kërkuar nga ekipi të qëndrojë në nivelin më të lartë, dhe të synojë të sjellë titujt në Anfield Road.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por nëse vazhdojmë kështu do të jetë një vit interesant për të gjithë ne besoj”, ka thënë Shaqiri, i cili nuk u ftua së fundmi nga Jurgen Klopp në ndeshjen ndaj Crvena Zvezdës në Beograd, të cilën ekipi i tij e humbi me rezultat prej 2-0.

Ndeshjen e radhës Liverpooli e pret në shtëpi Fulhamin, që është ekipi i fundit në ligë, megjithatë Shaqiri nuk e ka nënvlerësuar këtë ekip duke thënë se pret një ndeshje shumë të vështirë.

“Gjithmonë është shumë e vështirë të luash kundër tyre, s’kanë asgjë për të humbur kur vijnë në Anfield. Ata vetëm mund të fitojnë prandaj do të jetë një ndeshje e vështirë, dhe duhet të bëjmë performancë të mirë sepse në Premier Ligë secila ndeshje është shumë e vështirë”, është shprehur Shaqiri.