Sport

Shaban Zogaj, talenti nga Danimarka që po vlerësohet përforcim i madh për Kosovën

Ndaj Belgjikës qëndroi në stol, ndërsa në miqësoret ndaj Kuvajtit kaloi shumë minuta në fushë. Dhe rastin e ofruar e shfrytëzoi maksimalisht.

Shaban Zogaj po vlerësohet përforcim për përfaqësuesen e Kosovës në hendboll. Në Federatën e Hendbollit të Kosovës thonë se paraqitjet e tij në dy miqësoret ndaj Kuvajtit ishin bindëse. Kosova javën e kaluar luajti dy miqësore me Kuvajtin në Podgoricë dhe shënoi dy fitore. Rastin e fituan shumë debutues, që u shfaqën me sukses. Shaban Zogaj ka bindur më së shumti.

Zogaj është 19-vjeçar dhe po zhvillohet në Danimarkë. Sivjet u pajis me pasaportë të Kosovës, ndërsa u grumbullua për ndeshjet kualifikuese për Botëror ndaj Turqisë dhe Belgjikës. Ndaj Turqisë nuk u përfshi në ekip, kurse ndaj Belgjikës, më 7 nëntor, qëndroi në stol. Ai ishte shfaqur mirë në stërvitje, ndërsa se ka potencial e dëshmoi në dy ndeshjet ndaj Kuvajtit. Në të parën realizoi tre gola, kurse në të dytën u ndal në dy gola. Por loja e Zogajt është më shumë se gola.

“Jam i kënaqur që jam përzgjedhur për këtë grumbullim. Jam falënderues për pritjen që më është bërë nga të gjithë. Jam gjithashtu i kënaqur që debutova për Kosovën ndaj Kuvajtit. Kjo do të thotë shumë për mua dhe familjen time”, ka thënë Shaban Zogaj për KOHËN.

Motra e tij, Njoma Zogaj, debutoi sivjet për Kosovën. Dhe ajo e propozoi Shabanin, që po dëshmohet me potencial.

“Jemi shumë të kënaqur me paraqitjet ndaj Kuvajtit. Mungonin shumë lojtarë të rëndësishëm, por arritëm ta mposhtim Kuvajtin dy herë”, ka shtuar Zogaj, që luan në pozitën e qendrës dhe të bekut. Ai ka filluar me hendboll në moshën 10-vjeçare. Fillimisht ishte në klubin e vogël AIK Vejgaard. Tani luan për klubin Aalborg. Është në ekipin e 19-vjeçarëve.

Kosova të dielën luan miqësore me Malin e Zi dhe minuta të tjerë do të jenë në dispozicion të Zogajt.

Kosova ka humbur nga Turqia në Eskishehir me shifrat 25:23, ndërsa në Prishtinë barazoi me Belgjikën, 28:28. Më 5 janar Kosova e pret Greqinë, ndërsa më 9 janar luan në udhëtim ndaj Greqisë. Më 12 janar e pret Turqinë, ndërsa fazën e parë kualifikuese për Botërorin 2023 e mbyll më 15 janar, kur luan në udhëtim ndaj Belgjikës. Kosova synon dy vendet e para në grup për të avancuar në fazën e dytë.

“Do të jem në përfaqësuese në janar dhe shpresoj të më jepet mundësia të luaj. Por nuk është patjetër që të luaj. Unë jam më i riu në ekip dhe jam shumë i lumtur që më është dhënë mundësia të jem pjesë e përfaqësueses. Kam mundësi të mësoj dhe të fitoj përvojë nga lojtarët më me përvojë në ekip”, ka theksuar Shaban Zogaj.

Ai ka kaluar një lëndim jo të lehtë në moshë të re. Por është kthyer me sukses.

“Kur isha 16-vjeçar pësova lëndim në ligamentin e gjurit. Çdo gjë u zbeh për mua. E di që do të kthehesha, por kisha frikë se nuk do të arrija të kthehem në nivelin që e kisha. Falë Zotit dhe punës gjithçka mori fund. Pas dhjetë muajsh iu ktheva prapë hendbollit”, tregon Zogaj.