Albin Tahirit të mërkurën i është dashur të zgjohet në orën 5 të mëngjesit për t’u nisur me veturë nga Sllovenia për në Austri. Rrugën për në qendrën skitare në “Molltal Glacier” të Austrisë, Tahirit do t’i duhej ta bënte edhe në ditët vijuese, meqë qëndrimi në shtetin e Austrisë nuk i lejohet. Në Austri është e mbyllur gjithçka si masë parandaluese ndaj përhapjes së koronavirusit. Por Tahiri insiston se gjithë këtë sakrificë po e bën për t’u përgatitur sa më mirë për Lojërat Olimpike Dimërore që mbahen vitin e ardhshëm në Kinë, përkatësisht në Pekin.
“Çdo ditë udhëtoj nga 2 orë e gjysmë për të shkuar dhe dy orë e gjysmë për t’u kthyer nga stërvitjet. E bëj këtë për shkak se Austria është në mbyllje totale si pasojë e masave anti-Covid dhe nuk punon asgjë, përfshirë hotelet e restorantet. Jam i detyruar të kthehem në shtëpi në Slloveni, që do të thotë se gjatë ditës i bëj pesë orë vozitje me veturë. Punon vetëm shtegu i skijimit në Austri. Më duhet të zgjohem në orën 05:00 të mëngjesit dhe të nisem për në shteg. Pastaj stërvitem derisa të punojë teleferiku. Pas kësaj më duhet të kthehem, sepse nuk më lejohet qëndrimi në Austri. Më duhet ta bëj këtë sakrificë për shkak se në afërsi ku jetoj nuk ka ende borë”, ka thënë Tahiri të mërkurën për KOHËN.
Lojërat Olimpike Dimërore nisin më 4 shkurt dhe përfundojnë më 20 shkurt të vitit të ardhshëm. Tahiri ka normë olimpike në katër disiplina të ndryshme. Pjesëmarrjen në Olimpiadën e Pekinit nga Kosova e ka të sigurt vetëm Tahiri, që jeton në Slloveni.
“Aktualisht po stërvitem dhe përgatitem në Austri dhe planifikoj që të marr pjesë në garën në fillim të dhjetorit në këtë vend, por asgjë nuk është e sigurt për shkak të situatës që po ndryshon çdo ditë. Fillimisht do të shkoj në garat e FIS-it dhe pastaj kupat evropiane, për ta mbajtur formën për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Duhet të tregohem i kujdesshëm dhe në Pekin të shkoj me formën më të mirë të mundshme, kështu që kam kohë dhe po përgatitem mirë. Të gjitha këto që po i bëj këtë vit jam duke i bërë për Lojërat Olimpike Dimërore. Stërvitem nga ora 08:00 deri në 14:00, kështu që zakonisht i kaloj gjashtë orë në borë. Besoj se e gjithë kjo punë dhe sakrificë do të më shpaguhet në fund”, ka theksuar Tahiri, që Kosovën do ta përfaqësojë për herë të dytë në ngjarjen më të madhe të skitarisë. “Në fakt, unë për herën e dytë e kam siguruar normën për Lojërat Olimpike dhe atë në disa disiplina, falë punës që e kam bërë gjatë tërë jetës sime”.
Pritjet për të arritur sukses në Kosovë janë në disiplinat e shpejta. Ai në fakt në garat e deritashme ka qenë shumë larg zonës së medaljeve. Këtë e pranon edhe vetë Tahiri, por shton se për të dhe Kosovën do të ishte arritje e madhe nëse zë vend në mesin e 30 më të mirëve në Pekin.
“Sa i përket rezultatit, unë gjithmonë jam real. Mendoj se futja në top 30 në Pekin do të ishte një rezultat fantastik. E them këtë për shkak se në disiplinat alpine Kosova nuk është shtet që merr medalje dhe nuk kemi kushte për këtë. Në përgjithësi skijimi është një sport i shtrenjtë dhe shtetet me traditë të madhe zakonisht dominojnë. Ne jemi në fillim të zhvillimit të këtij sporti, por kjo nuk do të thotë se unë nuk do të jap gjithçka nga vetja. Do të shohim, ndoshta mund të jem befasia e Lojërave Olimpike”, ka deklaruar Tahiri.
Tahiri 32-vjeçar nuk e di nëse Olimpiada në Pekin do të jetë edhe e fundit për të në karrierë. Ai thekson se do të varet nga paraqitja në Pekin. Olimpiada e ardhshme dimërore do të mbahet në vitin 2026 në Milano të Italisë.
“Në fakt, kurrë nuk do ta mbyll derën dhe kështu do të jetë edhe këtë herë. Por gjithçka është e mundur edhe pse ende asgjë nuk kam planifikuar. Fillimisht ta përfundoj Olimpiadën e Pekinit dhe pastaj do të shoh për Olimpiadën e ardhshme. Do të varet shumë nga pjesëmarrja në Pekin”, ka thënë Tahiri.
Në Federatën Skitare të Kosovës (FSK) shpresojnë që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) t’ia lejojë pjesëmarrjen në disiplinën e sllallomit edhe Arbi Pupovcit. Ka marrë përgjigje negative, por në FSK ende nuk kanë hequr dorë.
Pupovci në janar të këtij viti e mbylli në vendin e tretë një garë në Pamporovo të Bullgarisë, rezultat që i mjaftoi për të siguruar normën olimpike në disiplinën e sllallomit. Për ta siguruar normën në disiplinën e sllallomit, një garuesi i duhet që në pesë gara zyrtare të FIS-it të arrijë më pak se 160 pikë. Sigurimi i normës për Lojërat Olimpike Dimërore nuk është njëjtë sfidues si për Lojërat Olimpike Verore. Duhet të arrihen standarde, por që janë larg me ato të kërkuara për Lojërat Olimpike Verore.