Sport

Serinë e jashtëzakonshme Distria synon ta vazhdojë me medalje në Botëror e Olimpiadë

Botërori i vitit 2018 është ngjarja e fundit në të cilën Distria Krasniqi nuk ka fituar medalje. Ajo ishte ndalur herët në Botërorin e mbajtur në Baku, në pjesën e dytë të muajit shtator të 2018-s.

Menjëherë në fund të tetorit të vitit 2018 kishte nisur një seri që po vazhdon ende. Dhe Distria është e vendosur që serinë pozitive ta vazhdojë edhe në Botërorin e këtij viti dhe Lojërat Olimpike, për të kaluar në ciklin e ri olimpik.

Që nga Grand Slami i Abu Dhabit, i mbajtur më 28 tetor 2018, Distria ka zënë vend në podium në secilën garë që është paraqitur. Në Abu Dhabi ishte e dyta. 14 medalje ka fituar prej atëherë 25-vjeçarja. Tetë prej tyre janë të arta.

Prej më të vlefshmeve është ajo e fituar javën e kaluar – e arta evropiane në kategorinë deri 48-kilogramë. Në Botërorin e fundit, të mbajtur në vitin 2019, kishte fituar të bronztën. Vjet fitoi medalje të bronztë evropiane.

Krasniqi aktualisht është e para në ranglistën botërore dhe pas freskimit të ranglistës pritet të forcohet edhe më shumë në krye.

Të premten në Lisbonë, Distria siguroi fillim të mbarë të Kosovës në Evropianin e xhudos. E fitoi të artën duke mos u rrezikuar asnjëherë gjatë ditës. Të artën e fitoi edhe Akil Gjakova, ndërsa Nora Gjakova mori të bronztën. Në vend të pestë përfunduan Loriana Kuka e Laura Fazliu. Dhe në fund të Evropianit, të dielën, Kosova ishte më e suksesshmja, një e arritur e mahnitshme kjo.

“Jam shumë e kënaqur me medaljen e artë. Është medalja e parë e artë në Kampionatin Evropian për seniorë. Jam shumë e lumtur që kjo medalje erdhi në këtë kohë, në prag të Lojërave Olimpike”, ka thënë Distria Krasniqi të hënën për KOHËN.

Përgjigjja e saj dëshmon për fokusin e tashëm të Distrisë. Lojërat Olimpike që mbahen në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit janë synimi i madh i Distrisë. Një medalje në Olimpiadë do të ishte sukses i pakrahasueshëm. Është e vetmja që tashmë i mungon.

Por fillimisht Distria synon podiumin në Botërorin që mbahet prej 6 deri më 13 qershor në Budapest të Hungarisë.

“Paraqitja në Evropian ka qenë e mirë. Nuk kam hasur vështirësi të mëdha në asnjërën prej luftërave. Fokusi im ishte te lufta finale, por fatkeqësisht garuesja nga Ukraina ishte lënduar në gjysmëfinale dhe unë e fitova finalen pa luftë”, ka theksuar Krasniqi.

Ajo është dashur të përballet në finale me Daria Bilodidin, ende emrin kryesor në kategorinë deri 48 kg. Por jo edhe shumë gjatë. Bilodid ka fituar dy botërorët e kaluar dhe tashmë është rivalja e madhe e Distrisë. Se a ka shmangur ajo luftën me Distrinë apo jo, mund të mos dihet kurrë. Por në Botëror e Olimpiadë një përballje mes tyre është shumë e mundur.

Dhe medalja nga Lisbona e frymëzon Distrinë për të kërkuar suksese edhe më të mëdha.

“Natyrisht që kjo medalje është motiv shumë i madh për këto dy garat e radhës, që janë më të mëdhatë të mundshme. Mua më mbetet vetëm që të përgatitem dhe të punoj shumë. Shpresoj që kjo formë e mirë e imja të vazhdojë edhe më tutje, pra edhe në Botëror, Olimpiadë e natyrisht edhe pas tyre”, ka theksuar Krasniqi.

Me konsistencën e jashtëzakonshme Distria Krasniqi ka gjasa reale të jetë në dy podiumet kryesore sportive. Ajo nuk e thotë, por synim e ka shkallën më të lartë të podiumit.