Pasi Xherdan Shaqiri shënoi gol për Zvicrën ndaj Serbisë në Botëror dhe festoi me shqiponjë, ylli shqiptar i futbollit është kthyer në armikun më të madh të serbëve.
Pos kërcënimeve e deklaratave që ai nuk duhet të udhëtojë në Beograd për ndeshjen e kthimit me Cërvena Zvezdën në Ligën e Kampionëve dhe provokimeve nga mediat serbe që të “flasë në gjuhën serbe” pas ndeshjes në Anfield, është publikuar një video e re që tregon se si një tifoz serb e kishte sharë atë me nënë në gjuhën shqipe.
Video ishte realizuar gjatë ndeshjes Liverpool-Zvezda, ku anglezët fituan 4 me 0.
Shaqiri, siç shihet në video, injoroi sharjet dhe vazhdoi me lojën e tij duke u vlerësuar si ndër më të mirët atë natë. Madje trajneri i tij, Jurgen Klopp kishte thënë se “Shaqiri ishte i përfshirë në gjithçka”.