Sefer Seferi më 9 qershor do të zhvillojë meçin bindshëm më të madh në karrierë dhe një të cilin ndoshta as që e ka ëndërruar. Ai do të përballet me boksierin e madh britanik, Tyson Fury.
Ka kohë që pritej përballja e legjendës Fury me Sefer Seferin, por vetëm të dielën meçi është konfirmuar. Ai do të jetë kryesori i mbrëmjes së boksit që mbahet më 9 qershor në “Manchester Arena” në Manchester, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ai kthehet”, është titulli i posterit të mbrëmjes së 9 qershorit, që bënë të qartë se mbrëmja është e Tyson Furyt, ish-kampionit të botës në peshën e rëndë të boksit profesionist.
Fury 29-vjeçar nuk ka boksuar që kur fitoi titujt në versionet IBF, WBA dhe WBO, në nëntor të vitit 2015, kur e mposhti legjendën Wladimir Klitschko. Fury ndërkohë humbi ata tituj të botës, ndërsa pati telashe të ndryshme.
Kishte telashe me doping, telashe me shëndetin mental e po ashtu shtoi shumë peshë dhe humbi formën sportive. Por muaj më parë vendosi të kthehet në ring dhe ka nisur me stërvitje të forta. Formën fizike e ka kthyer tashmë, ndërsa pret që të vazhdojë rrugëtimin që e kishte në boksin profesionist, rrugëtim që ia solli titujt e botës dhe famën e madhe... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)