Sport

Sarri konfirmon se Chelsea s’do ta lejojë largimin e Hudson-Odoit

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri ka përjashtuar mundësinë që Callum Hudson-Odoi të largohet nga Stamford Bridge në afatin kalimtar të janarit, duke theksuar gjithashtu se ai s’do të lejohet të largohet as në verë.

18 vjeçari është një nga top synimet e Bayernit në këtë afat kalimtar, derisa për të ka bërë deri tani disa oferta, transmeton Koha.net.

E në anën tjetër Hudson-Odoi e dëshiron transferimin në Allianz Arena, derisa ka bërë edhe zyrtarisht kërkesë për largim, gjë që është refuzuar nga Chelsea.

“Nuk jam i frustruar me Hudson-Odoin. Në fushë ai është shumë i mirë, si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje. Vërtet jam i kënaqur me të. Sigurisht s’jam i kënaqur me situatën, por e di mirë se secili ekip i madh në Angli ka probleme të njëjta. Nuk është e lehtë të mbash lojtarët e rinj. Ai është një nga 18 vjeçarët më të mirë në Evropë, prandaj është e vështirë”, ka thënë Sarri.

Ai më tutje ka shtuar se, “klubi më ka thënë se ai nuk është në treg. E me gjasë do të jetë jashtë tregut edhe në korrik gjithashtu. Nuk e di nëse ai do të jetë i lumtur me këtë, por mund të them se çfarë shoh në fushë. Për momentin në fushë ai është fantastik”.