Trajneri italian, Maurizio Sarri sot ka mbajtur konferencën e parë për media pas prezantimit te Chelsea.
Ish-trajneri i Napolit e pranon që është mërzitur që është larguar nga skuadra e Serie A, por premton se me Chelsean do të zhvillojë futboll të bukur dhe do të mbajë yjet kryesorë të ekipit, transmeton kp.
“Kam kujtime të mrekullueshme nga Napoli. I dua njerëzit atje dhe gjithmonë do t’i dua. Nëse jemi ndarë në mënyrë të keqe me klubin dhe presidentin, mendoj se gabimet janë bërë nga të dyja palët”, ka thënë fillimisht Sarri. “Conte ka marrë rezultate të jashtëzakonshme këtu, ai është një trajner fantastik, por unë luaj në një mënyrë më ndryshe, prandaj do t’i kushtoj kohë skuadrës. Të gjitha gjërat e mira që Antonio i ka lënë prapa duhet të qëndrojnë, nuk duhet të ndryshohen, por është me rëndësi që të imponohet filozofia e trajnerit në një periudhë të shkurtër kohore”.
“Është e qartë se ne duam t’i mbajmë lojtarët më të mirë, por të shohim se si do të shkojë afati kalimtar. Unë jam një trajner në fushë dhe jo një menaxher. Detyra ime është të merrem me futbollistët që kam në skuadër”, ka theksuar ai.