Drejtori i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Muharrem Sahiti është zyrtari që mban veturën, për blerjen e së cilës Policia e Kosovës ka hedhur dyshime të martën, ka mësuar KOHA.
Policia ka njoftuar se ka intervistuar katër zyrtarë të FFK-së që dyshohet se kanë keqpërdorur autorizimet me qëllim “që t’i sjellin personit të huaj dobi pasurore të kundërligjshme duke lejuar pagesën e faturës për blerjen e një veture”.
“Andaj si rezultat i hetimeve të realizuara nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Prishtinë, dyshohet se vetura e lartcekur në mënyrë të kundërligjshme është përvetësuar dhe regjistruar në emër të personit privat në FKK, andaj e njëjta është sekuestruar”, thuhet në njoftim.
Të katërtit të dyshuar e të intervistuar të martën janë liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.
Ditë më parë nën dyshimet për të njëjtat vepra është arrestuar edhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Ai është dërguar në arrest shtëpiak.
Deri në publikimin e lajmit, Sahiti ka qenë i paqasshëm në telefon.