Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrugëtimi i Juergen Kloppit deri në “Anfield”

Foto: Reuters

Jens Haas ende e mban në mend herën e parë që dyshoi se Juergen Klopp ka mendjen për t’u bërë trajner futbolli.

Ata ishin 11-vjeçarë, po shkonin për të luajtur ndeshje futbolli me skuadrën e të rinjve të SV Glatten dhe po dëgjonin nëpërmjet radios ndeshjen e Bundesligës të skuadrës së preferuar të tyre Stuttgartit.

Juergeni i ri nisi të analizonte taktikat e Stuttgartit dhe sugjeroi disa zëvendësime për ta ndryshuar rrjedhën e lojës. Pak momente më vonë, komentuesi konfirmoi se po bëheshin dy zëvendësime, të cilat i sugjeroi Klopp, shkruan BBC, transmeton Koha.net.

“Isha i mrekulluar me njohurinë e tij dhe kuptimin e lojës. Nganjëherë mendoja se ai është trajner tashmë”, rikujton Haas.


Ditët e shkollës të Kloppit në Black Forest ofrojnë gjurmët e para se si ai është rritur për t’u bërë një nga trajnerët më të mëdhenj të futbollit modern.

Edhe Klopp, trajneri që pritet ta kthejë Gjermaninë në rrugën e sukseseve Futboll Klopp, trajneri që pritet ta kthejë Gjermaninë në rrugën e sukseseve

Ai adhurohet te Mainzi, tek i cili klub kaloi nga pozita e lojtarit te ajo e kryetrajnerit brenda natës dhe dërgoi klubin në Bundesligë për herë të parë. Te Dortmundi, po ashtu, adhurohet, pasi me klubin gjerman rrëzoi Bayern Muenchenin nga froni. E tash adhurohet te Liverpooli, duke e udhëhequr klubin drejt triumfit në Ligën e Kampionëve stinorin e kaluar dhe po ashtu klubi ishte duke marshuar drejt titullit të parë të Anglisë pas 30 vjetëve, para se koronavirusi të ndërhynte.

Kloppi njihet për atmosferën e mirë që krijon te klubi e po ashtu edhe për marrëdhënien e mirë me gazetarët e tifozët.

Storia nis në Glatten, në fshatin Black Forest ku kaloi vitet formuese.

 

Hapat e parë

Jens Haas gjendet te vendi ku ai, Juergen Klopp dhe gjithë lojtarët e SV Glattenit mblidheshin për t’u nisur për ndeshjet si mysafir.

Është këtu, në mesin e kodrave të Swabias, që Klopp zhvilloi ndjenjën e lirisë. Është dukshëm larg nga industria e intensiteti në Mainz, Dortmund e Liverpool.

“Njerëzit këtu janë shumë të qetë dhe solidë. Ata janë të kujdesshëm me para. Pëlqejnë të punojnë dhe gjykojnë njerëzit në atë që bëjnë. Është një vend vërtet i mirë për t’u rritur. Ke kohë për veten dhe mund të përqendrohesh në atë që dëshiron të bësh”, ka thënë Haas.

Klopp ka dy motra më të mëdha, për të cilat thotë se ishin si nëna të dyta për të, por ishte babai i tij Norberti – një shitës dhe ish-portier në rangje amatore – që e inkurajoi të merrej me sport.

“Norbert ka pasur ndikim të madh në të, e ka formuar atë”, rikujton trajneri i parë i Kloppit, Ulrich Rath, i cili themeloi skuadrën U-11 të Glattenit në vitin 1972, në mënyrë që dy djemtë e tij Ingo e Harti të mund të luanin përkrah Kloppit e Jensit. “Është me rëndësi të dihet se Norbert Klopp nuk kishte lindur këtu në Glatten. Ai është nga Rhineland-Palatinate, afër Mainzit. Njerëzit nga ajo zonë festojnë karnavalin. Në Glatten dhe në Black Forest ne nuk e festojmë. Norberti ishte shumë aktiv këtu në klub, së pari në futboll e më pas edhe në tenis. Dhe Juergen trashëgoi oratorinë, entuziazmin dhe energjinë nga babai i tij. Nëna e tij është nga Glatteni, nga një familje e njohur këtu. Njerëzit nga Black Forest janë të qetë, modest. Ata gjithmonë është dashur të punojnë fort. Kur e shoh Juergen duke kërcyer lartë gjatë ndeshjeve, më kujtohet Norberti. Por, kur ai është në shtëpi, ai gjen qetësinë dhe është i heshtur dhe mbledh forcat. Kështu ishte nëna e tij”.

Klopp ishte mesfushor dhe kapiten te skuadra e të rinjve te SV Glatten derisa nuk vendosi të ndryshonte skuadër për t’iu bashkuar TuS Ergenzingen, një skuadër më e madhe rreth 24 kilometra larg nga qyteti. Rath e përshkruan Kloppin si një “humbës të keq” dhe një “lider i natyrshëm”.

“Ai gjithmonë ishte në rresht të parë dhe fliste kur diçka nuk i dukej mirë. Kishim marrëdhënie të mirë. Ai ishte gjithmonë ambicioz. Dhe ai gjithmonë motivonte bashkëlojtarët”, ka treguar Rath 79-vjeçar.

Fusha ku Klopp luante dikur ka pisha përgjatë njërës vijë dhe është lumi në anën tjetër. Haas rikujton se si i binte topi në lum.

Në vitin 1981, ndeshjet u zhvendosën në një pjesë tjetër të fshatit te një klub i ri sportiv, ku fanellat verdhë e zi të skuadrës lokale janë për koincidencë të ngjashme me ato të Borussia Dortmundit. Një foto e Kloppit në kulmin e tij me Dortmundin, të firmosur dhe dedikuar për njerëzit e qytetit të tij, gjendet në mesin e trofeve dhe gjërave të tjera me rëndësi te klubi.

Ky ishte edhe vendi ku u festua i biri më i famshëm i këtij vendi, kur Kloppi udhëhoqi Dortmundin drejt titullit të Bundesligës në vitin 2011.

Kloppi kishte mbajtur fjalim në atë kohë.

“Ishte e jashtëzakonshme”, ka thënë Haas. “Në njërin minutë ai ishte trajner profesionist i Dortmundit dhe në tjetrin një ish-shok i klasës. Ai ishte i interesuar në fshatin, në atë se kush ishte dhe foli me njerëzit në dialektin lokal”.

Rath rrallë e sheh Kloppin këto ditë, por bëhet emocional kur rikujton telefonatën befasuese që mori nga ish-nxënësi i tij për ditëlindjen e tij të 75-të.

“Ai më uroi gjitha të mirat. Kjo është shtëpia e tij. Ai kurrë nuk e ka harruar këtë”, thotë Rath, ndërsa e ka të vështirë t’i ndalte lotët.

 

Kalimi te Mainzi

Pasi u largua nga Glatteni, Kloppi luajti për disa klube amatore, përfshirë Rot-Weiss Frankfurtin, ndërsa studioi edhe për shkenca sportive në Frankfurt.


Në vitin 1990, në moshën 23-vjeçare, ai u zhvendos rreth 50 kilometra për në perëndim për të firmosur kontratë gjysmëprofesionale me ekipin e kategorisë së dytë Mainz 05, ku kapiten ishte Michael Schumacher.

“Kloppi ishte një student tipik në atë kohë, si në pamje ashtu edhe personalitet”, rikujton tash Schumacher 62-vjeçar, i ulur në lozhë në stadiumin e ri me 34 mijë ulëse të Mainzit. “Ai gjithmonë mbante xhinse dhe fanellë dhe nuk kishte ndonjë stres”.

Jeta në fushë ishte më e vështirë për Kloppin, që gjithmonë ka pranuar se kishte këmbët e një lojtari të kategorisë së dytë, por trurin e një lojtari të divizionit të parë.

“Ai ishte sulmues kur erdhi te ne. Ishte i shpejtë dhe i mirë me kokë, por kishte vështirësi në anën teknike të lojës. Ishte e vështirë për të. Kur spikeri thërriste emrin e tij, tifozët fishkëllenin. Unë e mbaj në mend pas një ndeshjeje ishim në pishinë dhe Klopp më tha ‘Çfarë mund të bëjë? Trajneri gjithmonë dëshiron të më aktivizojë’. Ai e dinte se nuk ishte lojtari më i mirë, por gjithmonë bënte atë që i thuhej”, tregon Schumacher.

Edhe Kloppi nuk e përjashton mundësinë e kthimit te Liverpooli Futboll Kloppi nuk e përjashton mundësinë e kthimit te Liverpooli

Kthimi në mbrojtje nën direktivat e trajnerit Wolfgang Frank i solli sukses Kloppit te Mainzi. Ai luajti 325 ndeshje në një karrierë një dekadëshe. Por, ishte një vendim i papritur për të bërë atë trajner që vërtet dëshmoi kualitetin e tij të vërtetë.

Mainzi po përballej me rënie në Kategorinë e Tretë të Gjermanisë, kur presidenti Harald Strutz mori këtë vendim të çuditshëm në shkurt të vitit 2001.

“Situata ishte se kaluam nëpër tre trajnerë të ndryshëm për një periudhë të shkurtër”, thotë Srutz. “Ne kishim një ndeshje shumë të rëndësishme dhe ne thamë se nëse nuk është asnjëri për ta ndihmuar skuadrën, atëherë ta ndihmojnë lojtarët veten. Juergen Klopp ishte plot pasion, njeri normal me personalitet të veçantë. Mund të shihej gjatë ndeshjeve se ai ishte lider. Mund të shihej se tifozët ishin shumë të impresionuar me personalitetin e tij. Ne vendosëm ta bënim trajner dhe ishte një shpërthim për gjithë qytetin. Atëherë nisi periudha më e madhe për këtë klub”.

Ndikimi ishte i menjëhershëm. Mainzi mposhti Duisburgun 1:0 në ndeshjen e parë të Kloppit në krye dhe fitoi gjashtë nga shtatë ndeshjet e para për t’u larguar nga zona e rrezikshme. Gjërat shkuan edhe më mirë.

Në dy stinorë rresht, klubi luftoi për ngritje në Bundesligë deri në xhiron e fundit, por në dy rastet dështoi krejt në fund.

Derisa shumicën kjo do ta thyente, por Kloppi kishte bërë të fortë si klubin ashtu edhe gjithë qytetin.

Derisa 15 mijë tifozë ishin mbledhur në sheshin qendror në Mainz, Kloppi foli nga zemra.

“Të gjithë kishin lot në sytë e tyre, por Juergen u ngrit në skenë dhe u tha se do të kthehemi më të fortë dhe do të provojmë sërish. Ishte aq impresive për gjithë njerëzit për të parë aq shumë forcë. Ai gjithmonë gjente fjalët e duhura”, thotë Strutz.

Lotët u kthyen në gëzim në stinorin vijues, kur Mainz siguroi për herë të parë ngritjen në Bundesligën.

“Unë mund t’u premtoj se patëm një mbrëmje shumë të bukur”, thotë Strutz. “Juergen gjithmonë më thotë se ka këtë imazh timin që nuk do ta harrojë kurrë. Duke qëndruar në pub në 3 të mëngjesit dhe me fytyrë shumë të gëzuar. Duke qeshur e duke pirë”.

Mainzi kaloi tre stinorë në Bundesligë me Kloppin, ku trajneri tregoi aftësitë e tij taktike.

“Kur luaje kundër Mainzit, në njërën anë lojtarët nuk ishin shumë të mirë, por në anën tjetër ishte shumë e vështirë të mposhteshin pasi kishin shumë shpirt”, ka thënë Hans-Joachim Watzke, shefi ekzekutiv i Borussia Dortmundit. “Për publikun e përgjithshëm ai impresionoi gjatë Kupës së Botës në vitin 2006, kur ishte ekspert në televizion. Për gjermanët ishte një gjë e re që ky person kishte aq shumë kompetencë për analiza, por edhe i bënte argëtuese analizat me sharmin e tij. Ishte fantastike”.

 

Arritja e famës te Dortmundi dhe Championsi i fituar me Liverpoolin

Pas më tepër lot, ndërsa i tha lamtumirë tifozëve në sheshin kryesor në Mainz, Klopp iu bashkua Borussia Dortmundit në vitin 2008 dhe menjëherë krijoi një lidhje të ngushtë me të famshmin “Murin e Verdhë” të tifozëve në stadiumin me 80 mijë ulëse të klubit.

Me stilin e tij të zakonshëm, duke bërtitur nga bankina dhe duke bërë me gjeste, Klopp e ktheu Dortmundin një klub në vështirësi, në klubin më atraktiv në Evropë. Dortmundi fitoi Bundesligën në vitin 2011 dhe më pas Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë në vitin 2012.

“Ai i dha skuadrës një shpirt të ri. Luajti një stil tjetër të futbollit krahasuar me atë që luanim më herët. Aplikoi lojë më agresive, me presing më të fortë. Tifozët dhe lojtarët ranë në dashuri nga momenti i parë. Gjithë qyteti, gjithë rajoni ishte jashtë kontrollit”, ka thënë Watzke.

Skenat e festës pas titullit në vitin 2011 ende mbahen në mend, ku Kloppi kishte festuar në skenë në stil këngëtari. Ishte intonuar himni “Kloppo du Popstar”.

“Ai është një nga burrat më të famshëm në Gjermani”, thotë shoku i ngushtë i tij Uli Graf, autori dhe prodhuesi i “Kloppo du Postar”, që kishte arritur numrin dy në hitet muzikore në Gjermani në atë kohë. “Por, ai nuk dëshiron të jetë një yll i muzikës pop. Ai është aty për njerëzit – një djalë nga Black Forest që është bërë hero”.

Graf thotë se pushimet me Juergen Kloppin janë argëtimi më i madh që mund të kesh.

“Gjithmonë je duke qeshur, mund të flasësh për politikë dhe sporte. Ai është një njeri shumë inteligjent dhe nuk ke pse të kesh frikë se çfarë thuash”, deklaron Graf.

Një trajner i madh i futbollit, një valltar i denjë dhe një shoqërues ideal për pushime. Por, talenti i Juergen Kloppit nuk mbaron aty.

Nëse një sponsor i Borussia Dortmundit kishte dyshime për rinovim të marrëveshjes, Klopp përkujdesej të telefononte vetë.

Edhe Kloppi mbron vendimin për t’u angazhuar te Red Bulli Futboll Kloppi mbron vendimin për t’u angazhuar te Red Bulli

“Juergen Klopp është i madh në marketing”, thotë Carsten Cramer, që ishte kreu i marketingut gjatë shtatë vjetëve të Kloppit në klub dhe tash është drejtor menaxhues. “Një person si ai duke punuar për një klub si Borussia Dortmundi ishte përshtatje perfekte. Ai ishte në gjendje t’i jepte këtij klubi një fytyrë njerëzore. Ai është armë, i gjithanshëm dhe na ka përkrahur në shumë mënyra. Sponsorët ishin aq të prekur që vetë kryetrajneri i Dortmundit po i thërriste sa që të gjithë vazhdonin kontratat”.

Pesë vjet nga një ndarje tjetër me lot, Cramer dhe Watzke mbesin shokë të ngushtë me Kloppin dhe ishin mysafirë në Kiev dhe Madrid për të dy finalet e Ligës së Kampionëve që Klopp i arriti me Liverpoolin në dy edicionet e kaluara.

“Nëse punon së bashku me një person si Juergen për shtatë vjet atëherë është gënjeshtër të thuash se nuk të mungon. Ai është një person i jashtëzakonshëm. Por, të shohësh se si i jep shpresë dhe fuqi jo vetëm Liverpool Football Club, por edhe qytetit, na bën shumë krenar”, thotë Cramer.