Katër fitore i shënoi fundjavën e kaluar në Sarajevë xhudistja pejane Flaka Loxha. Në finale e mposhti holandezen Shanon Van de Meeberg, por ishte një fitore tjetër që e veçon ajo. Një prej xhudisteve më të mira aktualisht te junioret është Marica Perishiq e Serbisë. Ndaj saj Flaka fitoi në gjysmëfinale me “Ippon” për 1:46 minuta.
Kështu Flaka ka arritur sukses të dyfishtë në Kupën Evropiane për juniorë, që u mbajt në Sarajevë. Ka fituar medalje tjetër të artë në një garë serioze e po ashtu ka mposhtur një prej xhudisteve më të mira të grupmoshës së saj, shkruan sot “Koha Ditore”.
Flaka Loxha (20) është një prej xhudisteve të reja që shpresojnë në shpërthim të shpejtë në skenën e madhe. Ajo është pjesë e klubit “Ippon” nga Peja dhe tashmë ka disa suksese serioze në grupmoshën e juniorëve. Këtë vit ka dy medalje të arta në kupa evropiane për juniorë. Në fund të marsit kishte dalë e para në Athinë. Vjet në Sarajevë ishte renditur e dyta, ndërsa dy vjet më parë në Lignano kishte zënë vendin e tretë. Ka, po ashtu, një medalje të bronztë nga Kupa Evropiane për kadetë, në vitin 2016 në Sarajevë.
Në kampionate ballkanike ka fituar medaljet e arta këtë vit dhe vitin e kaluar, ndërsa në vitin 2017 ishte e dyta. Flaka garon në kategorinë deri 57 kilogramë dhe vlerësohet me potencial për të ardhmen.
“Jam shumë e kënaqur me rezultatin e arritur në Sarajevë. Kam zënë vendin e parë e po ashtu performanca ishte në nivel”, ka thënë Flaka Loxha në një bisedë për gazetën.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)