Askush nuk ka pritur që Myrto Uzuni të ketë sezon të tillë me Granadan në rangun e dytë të futbollit spanjoll, La Liga 2.
Uzuni 27-vjeçar i ka kaluar pritshmëritë dhe ka shkëlqyer në këtë edicion, duke realizuar 22 gola e pesë asistime në 37 ndeshje në të gjitha garat.
Por, e kaluara e tij është shumë emocionale. Dhe rrëfimin e tij, Uzuni e ka dhënë të shtunën për mediumin e madh spanjoll “Marca”.
“Rruga ime ka nisur me babanë tim. Nga fillimi ai ka dëshiruar që unë të jem futbollist dhe ta mësojë gjuhën angleze sepse do të më ndihmonte në jetë. Ai ka qenë trajneri im i parë dhe më ka përkrahur nga dita e parë”, ka kujtuar Uzuni.
Uzuni ishte 10-vjeçar kur është përballur me situatë ndryshe nga fëmijët e tjerë. Familja e tij mblodhi gjërat e rëndësishme në Berat, ku u lind, dhe mori rrugë jashtë vendit.
Edhe
Uzuni shënon dhe asiston, Austini mposhtet
“Ne kemi ecur për tri ditë. Nuk kishim para. Duhej të paguanim 15 mijë euro për të dalë jashtë vendit, që janë shumë para për një shtet në të cilin paguhesh 300 apo 400 euro në muaj. Xhaxhai na dhuroi paratë. Shkuam në Greqi për të kërkuar jetë më të mirë”, thotë Uzuni.
“Aty qëndron fuqia ime. Ajo më bën që ta vlerësojë të sotmen. Nuk dua të shkoj prapa sepse familja ime nuk kishte asgjë, ishte jetë e vështirë”, thotë Uzuni.
Edhe pse futbolli përmbushte ëndrrat e tij, realiteti i vështirë bëri që ai të qëndronte larg topit për një kohë.
“Të luaja futboll ishte e komplikuar. Kishim të vetmin opsion, punën, për ta ndihmuar familjen. Nuk kishim asgjë, as kontratë, sepse nuk kishim leje. Kam punuar disa punë”, thotë sulmuesi i Granadas.
Pavarësisht ditëve maratonike, Uzuni vazhdoi të luante pa lodhje, ndërsa futbolli shpejt doli të jetë rrugëdalje. “E gjeta fuqinë në familjen time, kemi sakrifikuar shumë së bashku. E dija se dalja nga kjo situatë ishte vetëm nëpërmjet futbollit”, thotë ai, për të cilin në vitin 2010, interesim kishte shprehur Olympiacosi. Gjithçka ishte afër marrëveshjes, por viza ishte problem për futbollistin me ëndrra të mëdha.
Me pak opsione në tavolinë, Uzuni dhe familja e tij u kthyen në Shqipëri.
“Nuk kishim shtëpi, para, nuk kishim asgjë. Kemi jetuar në kushte të vështira. Një ditë isha duke vrapuar në gjashtë të mëngjesit. Ishte shumë ftohtë dhe hunda ime ishte e kuqe. Shikova lartë dhe thashë: Një ditë do të bëhem shumë i madh. Gjithmonë kam psaur besim në vete”, thotë ai.
18-vjeçari Uzuni shpërtimin e nisi te Tomori, pasi shënoi 27 gola dhe më pas doli në ekipin e parë te Apolonia për 2 mijë euro.
Edhe
Çfarë kuptimi ka “Lamine Yamal”
“Dy mijë euro nuk janë asgjë”, thotë ai duke qeshur. Më pas kaloi te Laçi me kontratën e 20 mijë eurove ku arriti historinë duke shkuar në kualifikime të Ligës së Evropës.
Lokomotiva e Zagrebit ishte ndalesa e radhës, një shtet i ri, gjuhë e re, por pavarësisht sfidave, vështirësive, Uzuni ishte i gatshëm.
Pas shifrave të jashtëzakonshme në Kroaci, rritja e Uzunit vazhdoi te Ferencvaroshi që e transferoi atë. Ai luajti edhe në Ligën e Kampionëve, ku u takua me Cristiano Ronaldon, idhullin e tij. “Ronaldo është shembull për mua. Të gjithë e dinë sakrificën që ai ka bërë për të arritur në karrierë. Mentaliteti i fituesit është gjëja më e rëndësishme për mua”, theksoi ai.
Në ndeshjen kundër Juventusit, sulmuesi nga Berati festoi njësoj si ylli portugez, në shenjë admirimi. “Gjithmonë e kam shikuar atë në televizion. Ishte diçka e jashtëzakonshme të luaja kundër Ronaldos. Shënova gol dhe ishte ëndërr që u bë realitet”, është shprehur Uzuni.
Pas Ferencvaroshit, interesim kishte shprehur Granada, që e kishte bërë krenar Uzunin dhe kishte pranuar transferimin.
“Jam ndier i lumtur dhe shumë krenar për gjithë punën që kam bërë, gjithë këto vjet me sakrifica. Më në fund të gjitha më sollën në një vend të merituar. Granada hapi dyert për mua në La Liga, ëndrra mu bë realitet.
Uzuni flet katër gjuhë dhe adaptimi në futbollin spanjoll nuk ishte i vështirë për të.
Edhe
Muriqi: Madhështia e Fenerbahçes është “tjetër nivel”
Ai aktualisht është golashënuesi më i mirë në La Liga 2, ndërsa thotë se nuk ka ndonjë sekret.
“Ka të bëj me dedikimin, punën e madhe. Të gjithë e dinë sa e dua futbollin. Jetoj për futbollin. Në secilin ekip mundohem të bëj historinë, ta bëj diferencën. Gjithmonë dua më shumë. Futbolli më ka zgjidhur shumë gjëra në jetë. Ëndrra ime është të bëhesha futbollist, të luaja për Shqipërinë dhe të shkojë në liga të forta. E vetmja gjë që mund të them është se asgjë nuk është e pamundur. Duhet të kesh vetëbesim dhe për këtë jam këtu. Futbolli është jeta ime, unë jetoj për futboll”, ka përfunduar Uzuni që me Granadan synon rikthimin në La Liga.