Albion Rrahmani ka fituar trofeun e tij të parë individual që prej transferimit në Rumani. Sulmuesi 23-vjeçar i Rapid Bukureshtit është shpallur lojtari i muajit shkurt. Por synimi i Rrahmanit është më i madh. Ai synon të shpallet kampion i Rumanisë me Rapidin dhe ta fitojë epitetin e golashënuesit më të mirë.
Për çmimin “Lojtari i muajit shkurt”, Rrahmani e fitoi garën me Philip Otelen e Clujit, Florinel Comanin e Steaua Bukureshtit, Dan Nistron e Clujit dhe Alexandru Popin e Otelulit. Në listën e gjerë ishte edhe bashkëlojtari i Rrahmanit te Rapidi, Ermal Krasniqi.
Por Rrahmani mori më së shumti vota nga lexuesit e gazetës së madhe rumune “Gazeta Sporturilor”.
Gazeta rumune zgjedh lojtarët bazuar në statistikat dhe paraqitjet e lojtarëve. Më pas votojnë lexuesit e gazetës, gazetarët dhe një komision prej pesë anëtarësh, ish-futbollistë ose trajnerë të rëndësishëm. Rrahmani fitoi 19 pikë.
Ndërkohë Cristiano Bergodi i Rapid Bukureshtit u shpall trajneri më i mirë i muajit shkurt.
Pasi pranoi çmimin, Rrahmani të enjten tha se meritat i ka gjithë ekipi.
“Ka qenë shumë mirë për mua dhe për ekipin. Kemi luajtur shumë mirë në këto momente. I kemi fituar të gjitha ndeshjet dhe kemi humbur vetëm një herë. Ka qenë shumë mirë për ne, sepse jemi në formë shumë të mirë dhe po vazhdojmë para. Natyrisht jemi afër vendit të parë dhe do të luftojmë deri në fund për ta fituar vendin e parë”, ka thënë Rrahmani.
Rrahmani shënoi katër gola në muajin shkurt, ndërsa në total në 14 ndeshjet e edicionit aktual ka shënuar 11 gola. Ai, po ashtu, ka dy asistime.
“Është më e rëndësishme për t’i fituar ndeshjet. Jam më shumë i lumtur për ekipin. Jemi shumë mirë tani. Por në aspektin personal jam kthyer në momentin më të mirë për skuadrën, dhe po e ndihmoj shumë mirë ekipin. Jam krenar për këtë”, ka theksuar Rrahmani.
Rrahmani iu bashkua Rapidit nga Ballkani i Suharekës në gusht të vitit 2023. Karrierë bëri edhe te Malisheva, Bashkimi, Minatori dhe në Shkollën e Futbollit të Llapit.
Rrahmani vlerëson ligën rumune, të cilën synon ta fitojë. Pjesë e Rapidit janë edhe dy futbollistët kosovarë, Ermal Krasniqi dhe Florent Hasani. I rëndësishëm për Rapidin është bërë edhe Krasniqi.
“Është kualitet shumë i lartë dhe më pëlqen të luaj këtu. Është shumë mirë, tifozët janë të shkëlqyer, kështu që është e përkryer për mua. Jam sulmues dhe duhet të shënoj për të ndihmuar ekipin dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Dua ta fitoj titullin dhe më pas edhe çmime personale. U premtoj të gjithëve se do të japim 100 për qind në çdo ndeshje. Do të luftojmë deri në fund për ta sjellë titullin”, ka thënë Rrahmani.
Rapidi është në vendin e dytë me 52 pikë, kurse në vendin e parë është Steaua Bukurshti me 64 pikë. Të shtunën Rapidi e pret Steauan, në ndeshjen derbi të Rumanisë. Ndeshja luhet në stadiumin “Superbet Arena – Giulesti”. Të gjitha 14 mijë biletat janë shitur tashmë.
vlerësohet prej lojtarëve që do ta udhëheqë në të ardhmen sulmin e Kosovës. Për Kosovën ka luajtur dy ndeshje. Pritet të ftohet për ndeshjet miqësore të muajit mars.