Sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ka shpërthyer në lot teksa ka shprehur mërzinë për babanë e ndjerë që nuk e ka përjetuar kohën kur ky u shndërrua në superyll.
Ronaldo ishte vetëm 20-vjeç kur babai i tij Jose Dinis Aveiro, vdiq pas problemeve me mëlçi. Në një intervistë për “ITV”, Ronaldos iu shfaqën pamje të babasë së tij teksa krenohej me progresin e të birit gjatë Evropianit 2004.
“S’e kam parë kurrë këtë video. Kërkoj falje”, ka thënë 34-vjeçari.
“Të jem numri 1 dhe ai nuk sheh asgjë. Ai nuk më sheh të fitoj çmime, asgjë. Familja ime më sheh, nëna, vëllezërit, edhe djali im i madh, por babai im nuk sheh asgjë. Kjo do të thotë shumë. Mendoja se intervista do të ishte argëtim, por s’e prisja se do të qaja. Por kurrë s’i kam parë këto pamje. Nuk e di ku i keni gjetur. Më duhet t’i kem këto pamje t’ia tregoj familjes. Nuk e kam njohur babanë tim 100 për qind. Ishte person i dehur. S’kam pasur kurrë me të një bisedë normale. Ishte vështirë”, ka thënë portugezi, transmeton Koha.net.
Ronaldo ka vazhduar me rrëfimin për raportimet për përdhunim, akuzë që u shua sivjet. Ka thënë se raportimet e bënë t’i vinte turp të shikonte lajmet me fëmijët.
“Luajtën me dinjitetin. Është e vështirë. Keni të dashur, keni familje, keni fëmijë. Kur luajnë me sinqeritetin tuaj, është keq, është vështirë. Më kujtohet një ditë kur isha në shtëpi teksa shihja lajmet. I dëgjova fëmijët e mi teksa vinin shkallëve dhe ndërrova kanal sepse më vinte turp”, ka shtuar ai.
Numri 7 ka thurur lavde të shumta për të dashurën Georgina Rodriguez, me të cilën planifikon të martohet “një ditë”.
“Ishte sikur magji. Është pjesë e imja, më ka ndihmuar aq shumë. Jam i dashuruar në të dhe kam shumë pasion për të. Është e mrekullueshme, është mikja ime, kemi shumë biseda. Ia kam hapur zemrën dhe ajo mua po ashtu. Është dashuria më e madhe e jetës sime. Do të martohemi një ditë, sigurisht. Është edhe ëndrra e nënës sime. Andaj, një ditë. Pse jo?” ka deklaruar ai.