Projekti i Superligës që synon të revolucionarizojë futbollin evropian ka punësuar një drejtues të ri të lartë për të drejtuar një plan të ringjallur pas një nisjeje të dështuar vitin e kaluar. Ish-shefi gjerman i televizionit, Bernd Reichart, është CEO i ri i kompanisë “A22 Sports Management”, tha të mërkurën kompania me bazë në Madrid.
Kjo kompani punoi me 12 klube nga tri shtete të Evropës në një përpjekje për të nisur ligën e shkëputur në prill të vitit 2021. Punësimi i Reichart-it vjen ndërsa skuadrat e kompanisë “A22” dhe Superligës, Real Madridi, Barcelona dhe Juventus, presin një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në sfidën e tyre ndaj kontrollit të pretenduar të monopolit që ata thonë se organizatori i Ligës së Kampionëve - UEFA - ka mbi garat ndërkombëtare.
Një plan i rinovuar i Superligës Evropiane – që ka të ngjarë të përfshijë më shumë klube nga më shumë vende në një garë me shumë nivele me promovim dhe rënie – pritet pavarësisht vendimit përfundimtar të gjykatës së Luksemburgut vitin e ardhshëm.
“Fokusi i tij fillestar do të jetë të fillojë një dialog aktiv dhe të zgjeruar me një grup gjithëpërfshirës të akterëve të futbollit, duke përfshirë klubet, lojtarët, trajnerët, tifozët, mediat dhe politikë bërësit”, tha kompania “A22” për rolin e Reichartit.
Reichart punoi në të drejtat komerciale në industrinë e sportit me agjencinë “Sportfive” dhe president i transmetuesit komercial gjerman “RTL” nga viti 2019 deri në vitin 2021, tha punëdhënësi i tij i ri. Superliga u planifikua fillimisht si një shkëputje prej 20 skuadrash me 15 anëtarë themelues, të cilëve iu dhanë vende të mbrojtura dhe të ardhura shtesë të garantuara. Ai plan filloi pavarësisht se nuk arriti të bindë fuqitë gjermane Bayern Muencheni dhe Borussia Dortmund që të nënshkruajnë, as Paris Saint-Germainin me ndikim, pronësia e të cilit nga Katari ka lidhje të ngushta me UEFA-n. Projekti, i cili përfshinte vetëm klube nga Anglia, Italia dhe Spanja, u rrëzua brenda 48 orëve mes një reagimi të ashpër nga UEFA, plus tifozët dhe ligjvënësit në Angli, ku klubet që ishin çelësi i suksesit të tij u tërhoqën. Superliga Evropiane u perceptua atëherë si një rrëmbim elitar i pushtetit që do të mohonte ose kufizonte shanset për anëtarësimin e ekipeve nga vendet tjera, potencialisht ishte një shkelje e ligjeve të konkurrencës së Bashkimit Evropian. Reichart tha në një deklaratë se ai mbështet presidentët e Real Madridit, Barcelonës dhe Juventusit në planin e Superligës Evropiane.
Edhe
Superliga Evropiane zyrtarisht projekt i vdekur
“Unë besoj se ata po bëjnë pyetjet e duhura dhe personalisht jam i prirë të dëgjoj shumë zëra të ndryshëm në mënyrë që komuniteti evropian i futbollit të mund të gjejë së bashku përgjigjet e duhura”, tha ai.
Real Madridi fitoi titullin rekord të 13-të evropian sezonin e kaluar. Ndërkohë, Barcelona dhe Juventusi rrezikojnë të dështojnë në fazën e grupeve të Championsit këtë sezon dhe kanë raportuar humbje rekord që nga pandemia COVID-19. Gjykata në Luksemburg vendosi një objektiv të datës 15 dhjetor për të dhënë një opinion jodetyrues mbi çështjen e Superligës Evropiane që u dëgjua nga 15 gjyqtarë gjatë dy ditëve në muajin korrik. Vendimi i plotë pritet vitin e ardhshëm.