Triumfi në Kupën e Spanjës i ka dhënë Real Madridit motiv shtesë për ta mposhtur Manchester Cityn në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Dueli i parë mes këtyre dy skuadrave zhvillohet të martën mbrëma në stadiumin “Santiago Bernabeu” me fillim në orën 21:00. Reali të shtunën e shkuar mposhti 2:0 Osasunan në finalen e Kupës për ta fituar trofeun e parë të këtij edicioni. E me motivin e këtij triumfi Reali do të futet në fushë ndaj Cityt që ka një ekip më se të kompletuar. Pavarësisht formës fantastike dhe rezultateve të mira të Cityt këtë edicion, mesfushori i Realit, Toni Kroos, beson në fitoren e Realit. Gjermani në konferencën për shtyp të hënën ka pranuar se përvoja është në anën e ekipit spanjoll dhe po ashtu ka shtuar se Reali ka lojtarë që dinë t’i përballojnë ndeshjet e tilla.
“Nëse luajmë mirë, shënojmë gola dhe mbrohemi mirë, atëherë do të fitojmë për shkak se ky është faktori kryesor për ta mposhtur një ekip si City, i cili shënon të paktën tri gola në çdo ndeshje. Po ashtu, edhe përvoja është në anën tonë dhe jemi ekip që mund të përballojmë ndeshje të tillë”, ka thënë Kroos.
Kjo përballje e Realit dhe Cityt është përsëritje e edicionit të shkuar, pasi luajtën në të njëjtën fazë. Megjithatë Reali kaloi tutje me rezultatin e përgjithshëm 6:5 dhe në fund arriti ta fitojë trofeun e tij të 14-të evropian për të vendosur rekord të ri. Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti nuk sheh shumë dallim prej edicionit të shkuar. Shton se dallimi i vetëm mund të jetë motivi shtesë që e ka ekipi i tij pas triumfit në Kupën e Spanjës.
“Mendoj se jemi në nivelin e njëjtë sikurse edicionin e shkuar, por ajo që mund ta bëjë dallimin këtë vit është motivi dhe dëshira për fitore. Ne i kemi të dyja. Madje jemi ekstra të motivuar për ta mposhtur Cityn pasi fituam Kupën e Spanjës”, tha Ancelotti. “Fitorja na konvenon shumë, pasi do të kemi avantazh për ndeshjen e kthimit. Mirëpo, për ta arritur këtë duhet të jemi në nivel më të lartë dhe t’i krijojmë probleme Cityt”.
Lojtari i vetëm që e ka konfirmuar Ancelotti në formacionin e tij për ndeshjen me Cityn është mesfushori Luka Modriq. Ancelotti ka insistuar se Modriq është i rikuperuar dhe plotësisht i gatshëm për lojë. Ndërkohë, te City do të mungojë mbrojtësi Nathan Ake, i cili pësoi një lëndim të lehtë në ndeshjen e fundit kampionale kundër Leeds Unitedit. Për dallim prej Realit që krahas Kupës po synon edhe mbrojtjen e trofeut të Ligës së Kampionëve, Manchester City këtë edicion mund ta mbyllë me tripletë. Është në garë edhe për titullin e kampionit të Premier Leagues, si dhe finalen e Kupës FA përveç Championsit. Megjithatë, triumfi në garën më elitare të Evropës në nivel klubesh mbetet pengu i Cityt dhe trajnerit Pep Guardiola. City po e kërkon suksesin e parë në histori të klubit, ndërsa Guardiola trofeun e tij të tretë të Championsit, të parin prej vitit 2011.
“Vitin e shkuar ne patëm dy paraqitje të mira po nuk avancuam tutje. Tani sërish jemi këtu dhe të gatshëm për të luftuar me motiv të madh. Kemi qenë shumë të mirë këtë edicion dhe tani jemi në momentin më të mirë, gjë që duhet ta dëshmojmë kundër Realit. Do të jetë një ndeshje madhështore dhe ne duhet të tregojmë versionin tonë më të mirë për të kaluar në finale. Përballë kemi një kundërshtar të nivelit të lartë dhe duhet t’i ndëshkojmë në çdo moment për ta fituar ndeshjen e parë dhe pastaj të jemi gati për të dytën”, ka thënë mesfushori i Cityt, spanjolli Rodri.
E martë (21:00)
Real Madrid – Man. City