Sport

Reali - ekipi për t’u mposhtur, Messi në ndjekje të rekordit të Ronaldos

Fituesi në fuqi i Ligës së Kampionëve, Real Madridi, do ta nisë mbrojtjen e titullit në Glasgow të Skocisë, kur faza e grupeve të Championsit fillon të martën në mbrëmje.

Të përzgjedhurit e Carlo Ancelottit takohen me kampionin e Skocisë, Celticun, në ndeshjen hapëse të Grupit F (21:00), ndërsa në të njëjtën natë, Paris Saint-Germaini dhe Manchester City, nisin një tjetër përpjekje për ta fituar për herë të parë garën më të madhe evropiane për klube të futbollit.

A mund të jetë edicioni i Man. Cityt apo PSG-së?

Titulli i 14-të i Real Madridit në garën elitare evropiane e ka bërë fokusin edhe më të mprehtë nga Manchester City dhe Paris Saint-Germaini, që ende po presin për lavdi në garën kryesore kontinentale.

Të dy klubet kanë investuar jashtëzakonisht shumë në kërkim të çmimit më të madh. Por pavarësisht dominimit në ligat vendore dhe nga një finale të zhvilluar, dëshira e zjarrtë e tyre ka mbetur e pashpërblyer.

Reali, ndryshe nga të tjerat ekipe, ka fituar pesë nga nëntë edicionet e fundit të Championsit. Dhe nën drejtimin e Carlo Ancelottit, mbetet sërish një prej skuadrave për t’u mposhtur.

Sistemi i paralajmërimit “Erling”

Skuadra e Cityt është përforcuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga ardhja e verës, Erling Haaland, i cili u ble për 60 milionë euro. Norvegjezi ka shënuar dhjetë gola, përfshirë dy “hat-trick” të njëpasnjëshëm kundër Crystal Palacet dhe Nottingham Forestit, në gjashtë paraqitjet e para për Cityn. Historia tregon se golat nuk pritet të ndalen nga ai.

Skuadra e Pep Guardiolas po përgatitet për ndeshjen hapëse të kampanjës në grupin G në Sevilla.

Haaland ka shënuar tri herë në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve për Salzburgun kundër Genkut në shtator të vitit 2019 dhe dy gola i shënoi kundër PSG-së në paraqitjen e tij të parë në Champions për Borussia Dortmundin në muajin shkurt, një vit më pas.

Messi në ndjekje të rekordit të Ronaldos

Nëse PSG-ja avancon këtë sezon, superylli argjentinas, Lionel Messi, do ta ketë një pikë të madhe referimi në horizont. 35-vjeçari ka 125 gola të shënuar në Ligën e Kampionëve, 15 më pak se Cristiano Ronaldo që kryeson renditjen.

Megjithatë, Ronaldo nuk do ta shtojë asnjë me Manchester Unitedin që është kualifikuar vetëm për Ligën e Evropës. Kjo i jep shansin Messit që ta ngushtojë diferencën. Robert Leeandoeski i Barcelonës dhe ylli i Real Madridit, Karim Benzema, janë pas tyre në renditje me nga 86 gola.

Mirë se vjen Eintracht, mirë se kthehesh Rangers

Fituesi i Ligës së Evropës, Eintracht Frankfurti, është kualifikuar për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës për herë të parë, edhe pse kishte arritur në finalen e Kupës Evropiane në vitin 1960, kur u mposht 7:3 nga Real Madridi në “Hampden Park”. Gjermanët nuk e kanë Filip Kostiqin që iu bashkua Juventusit dhe u mposhtën 6:1 në shtëpi nga kampioni Bayern Munichu në ndeshjen hapëse të Bundesligës në muajin e kaluar.

Rangersi u mposht në penallti nga Eintrachti në finalen e edicionit të kaluar në Ligën e Evropës dhe kthehet në fazën e grupeve për herën e parë që prej vitit 2010. Rangersi shoqërohet nga rivali i “Old Firm”, Celticu. Kjo dyshe për herë të fundit ishte së bashku në Champions në vitin 2007.

Djem të rinj në skenë

Me gjithë pritshmëritë nga futbollistë me përvoje si Messi, Benzema dhe Lewandowski, si dhe me yllin që po shkëlqen, Haaland, gara po ashtu ia ka dhënë mundësinë një gjenerate të re për ta shpalosur talentin në audiencën e gjerë. Gjeorgjiani i Napolit, 21-vjeçari Khvicha Kvaratskhelia, tashmë ka nisur të ketë ndikim në Serie A dhe Celticu po shpreson që sulmuesi portugez Jota, 23-vjeçar, mund të sjellë cilësinë e tij në skenën e madhe.

Mesfushori i Benficas, Enzo Fernandez, po ashtu është lojtar premtues, ndërsa Fabio Carvalho i Liverpoolit ka pasur nisje të mirë të karrierës në “Merseyside”.