Real Madridi është në kërkim të trofeut të 20-të të Kupës së Mbretit.
Madrilenët në “Estadio de La Cartuja” të Sevillas, të shtunën, nga ora 22:00, do të luajnë kundër Osasunas në finale të Kupës së Spanjës.
Osasuna nuk e ka fituar asnjëherë Kupën, por ishte afër në edicionin 2004/2005, kur u mposht në finale nga Real Betisi, 2:1.
Përderisa titulli i La Ligas është rrugës për në Barcelonë, “Los Blancos” do të mundohen ta fitojnë Kupën e Mbretit pasi llogariten favoritë në ballafaqimin final.
Reali është edhe në garë për ta fituar trofeun e Ligës së Kampionëve. Në Evropë, të përzgjedhurit e trajnerit Carlo Ancelotti do të ballafaqohen në dy ndeshje me Manchester Cityn e Pep Guardiolës në gjysmëfinale.
Në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, Real Madridi e eliminoi Barcelonën, ndërsa Osasuna fitoi përballë Athletic Bilbaos.
Te Reali në këtë ballafaqim pritet të rikthehet Karim Benzema, që u pushua në mesjavë në duelin përballë Real Sociedadit. Madridi ka pësuar katër disfata në tetë ndeshjet e fundit në ligë.
Edhe për David Alaban dhe Luka Modriqin ka shpresë se do të mund të rikthehen për finale të Kupës, kurse do të mungojë Ferland Mendy.