Sport

Reagon njëri krah i karateistëve

Ka reaguar njëri krah i karateistëve pas vendimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për pezullim të licencës për Federatën e Karatesë së Kosovës. Nazmi Gashi ka reaguar të hënën mbrëma. Ai ka reaguar me email zyrtar të FKK-së. Gashi mban postin e sekretarit dhe është krah i Besart Barutit. Gashi e ka cilësuar vendimin e MKRS-së si ndërhyrje dhe të jashtëligjshëm.

“Ky vendim na shqetëson shume, pasi që konsiderojmë se është një ndërhyrje në të drejtat e Organizatave Jo-Qeveritare dhe ka shkelur Ligjin për Lirinë e Asocimit si dhe ky vendim e dëmton Federatën, klubet dhe sportistët tanë dhe ul imazhin e Federatës sonë karshi federatave të tjera. Federata e Karatesë e Kosovës ka respektuar Statutin e saj në Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor të mbajtur me datën 4 korrik 2023 dhe ka përfillur Statutin e saj më të cilin FKK është rilicensuar nga MKRS-ja”, shkruan në reagimin e Gashit.

Ai insiston se Statuti i FKK-së është përcaktues për rregullat dhe drejtën e votës së klubeve.

“Statuti përcakton rregullat për të drejtën e votës së klubeve dhe nuk shkruhet në asnjë nen të Statutit që klubet duhet të jenë të Rilincesuar nga MKRS-ja për të votuar, dhe ne si FKK nuk mund të thërrasim Kuvend duke shkelur Statutin e miratuar nga Kuvendi i FKK-së”, ka shtuar Gashi, duke shpresuar se MKRS do ta rishqyrtoj vendimin. “FKK-ja do të vazhdojë punën bazuar në agjendën dhe kalendarin e planifikuar”.