Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

RB Leipzigu mohon negociatat për Rashicën, por jo interesimin për të

RB Leipzigu ka mohuar negociatat konkrete me Milot Rashicën dhe skuadrën e tij, Werder Bremen.

Gjatë javës këshilltari i Rashicës, Altin Lala ka thënë se ai do të largohet nga Werderi, ndërsa të premten një medium i afërt me Werderin ka thënë se tashmë është arritur marrëveshja për kalimin e tij te skuadra dukshëm më e madhe e Bundesligës gjermane, RB Leipzig.

“Gazetari duket se na ka përzier me ndonjë klub tjetër. Ne asnjëherë nuk kemi qenë të lidhur me numra dhe transferime të tilla, sidomos në kohën aktuale”, ka thënë drejtori sportiv i RB Leipzigut, Markus Kroesche për RBlive.

Është raportuar se klauzola për lirimin e Rashicës është 38 milionë euro. Por Leipzigu vështirë se do të paguaj 38 milionë euro pas pandemisë së koronavirusit. Kështu që transferimi i Rashicës pritet të bëhet për shumë dukshëm më të vogël.
Reprezentuesi i Kosovës ka kontratë me Werderin deri në vitin 2022. Gjendjen e tij po e përcjellin disa skuadra, raporton Koha.net.