Sport

Rasti i Cityt mund t’i bashkohet listës së skandaleve më të mëdha të futbollit

(AP) – Manchester City nuk është klubi i parë i profilit të lartë që përfshihet në skandale. Premier League e ka akuzuar Cityn për shkeljen e një sërë rregulloresh financiare dhe klubi mund të përballet me dënime të shumta, përfshirë heqje të pikëve apo edhe përjashtim nga elita e futbollit anglez.

Derisa City po bëhet gati për t’u mbrojtur nga këto akuza, më poshtë paraqesim disa prej skandaleve më të mëdha në futboll që kanë goditur ligat kryesore të Evropës.

Francë

Marseille ishte dominues në Francë dhe një forcë në rritje në Evropë kur klubin e udhëhiqte presidenti i shkëlqyer, Bernard Tapie. Marseille po luante me Valenciennes në ligë vetëm gjashtë ditë përpara se të përballej me Milanin në finalen e Kupës Evropiane. Dhe tre lojtarëve të Valenciennes u kishte ofruar ryshfet për të lëshuar lojën.

Tapie u dënua për manipulim të ndeshjes dhe më vonë u burgos. Më 20 maj të vitit 1993, mbrojtësit Jacques Glassmann, sulmuesit Christophe Robert dhe anësorit Jorge Burruchaga u ishte kërkuar nëpërmjet ndërmjetësit Jean-Jacques Eydelie, ish-mesfushor, të mos angazhoheshin gjatë ndeshjes. Roberti, i cili u largua herët nga loja, dhe Burruchaga, fitues i Kupës së Botës me Argjentinën në vitin 1986, pranuan paratë. Glassmann refuzoi dhe më pas e zbuloi komplotin e madh. Atij iu dha çmimi i FIFA-s për ferplej në vitin 1995. Marseille mundi Valenciennesin dhe mposhti Milan 1:0, falë golit të shënuar nga mbrojtësi Basile Boli.

Marseille mbetet skuadra e vetme franceze që ka fituar garën elitare të Evropës. Prokurorët akuzuan Eydelien, i cili rrëfeu se kishte organizuar bisedën telefonike mes menaxherit të përgjithshëm të Marseillet, Jean-Pierre Bernes, dhe tre lojtarëve. Gruaja e Robertit u akuzua për konspiracion pasi një zarf me 250 mijë franga u gjend në një kopsht. Marseille e mbajti titullin e Ligës së Kampionëve, por nuk u lejua ta mbronte atë.

Marseillet iu hoq titulli i ligës franceze, pasi kishte fituar katër të mëparshmit në një epokë dominuese dhe u dërgua në divizionin e dytë. Tapie, i cili vdiq në vitin 2021, u urdhërua të largohej dhe në vitin 1997 ai filloi një dënim me tetë muaj burg. Eydelie, Burruchaga, Robert u dënuan gjithashtu me burgim në një skandal korrupsioni që tronditi futbollin francez. Klubi nuk e fitoi më ligën deri në vitin 2010.

UEFA

Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, ka ndëshkuar shpesh klubet e dyshuara për mashtrim. Por ka edhe raste të humbura.

Klubet që pretendohet se kanë kurdisur ndeshje për baste në rundet kualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe në Ligën e Evropës, janë përjashtuar nga garat e UEFA-s deri në 10 edicione. Në disa raste të profilit më të lartë, Anderlechti dhe Manchester City fituan në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) për të përmbysur dënimet evropiane prej një dhe dy sezonesh suspendim.

Rasti i Cityt kishte të bënte me rregullat e ferplejit financiar. Anderlechti kaloi në finalen e Kupës UEFA në vitin 1984, duke mposhtur Nottingham Forestin, 3:0, pas humbjes me dy gola në ndeshjen e parë. Në Bruksel, një penallti e dhënë për Anderlechtin dhe një gol i anuluar në kohën shtesë për Forestin ngritën dyshime.

Në vitin 1997 mediat belge dhe organet e rendit zbuluan se presidenti i Anderlechtit pranoi se kishte paguar arbitrin spanjoll, i cili tashmë ishte i vdekur, 13 vjet më parë. Komiteti ekzekutiv i UEFA-s i vendosi një ndalim për një sezon nga garat evropiane. Anderlecht fitoi apelin në vitin 1998 kur CAS-i vendosi që UEFA nuk ndoqi procesin e duhur gjyqësor. Në vitin 2020, City anuloi një ndalim dyvjeçar të vendosur nga një panel financiar i caktuar nga UEFA. Gjyqtarët e CAS-it insistuan se pretendimet për fryrjen e marrëveshjeve të sponsorizimit dhe shkeljen e rregullave të ferplejit financiar nuk u vërtetuan ose provat ishin të parashkruara.

UEFA ka qenë në terren më të sigurt në rastet e trukimeve të ndeshjeve. CAS-i la në fuqi një ndalim prej 10 sezonesh për Skënderbeun e Shqipërisë, i vendosur në vitin 2018 dhe një ndalim me tetë sezone në vitin 2009 për Pobedan e Maqedonisë së Veriut.

Itali

Juventusi e gjen sërish veten të zhytur në skandal, 17 vjet pas një prej momenteve më të errëta të klubit.

Klubi i famshëm italian u godit muajin e kaluar me një zbritje prej 15 pikësh për mashtrim financiar, ndërsa disa prej ish-drejtorëve të tij u ndaluan nga aktivitetet e futbollit.

Ish-presidenti Andrea Agnelli u pezullua për dy vjet. Agnelli dhe i gjithë bordi i drejtorëve kishin dhënë dorëheqje në nëntor pas një hetimi nga prokurorët e Torinos. Në fillim të pandemisë, Juventusi tha se 23 lojtarë ranë dakord të ulin pagën e tyre për katër muaj për të ndihmuar klubin të kapërcejë krizën. Por prokurorët pretendojnë se lojtarët hoqën dorë vetëm nga paga e një muaji. Juventusi po apelon vendimin e Federatës italiane të futbollit dhe një seancë paraprake është caktuar për në mars.

Lëvizja vjen 17 vjet pas skandalit të arbitrave “Calciopoli” që pa Juventusin, kampionin rekord me 36 tituj në Itali, të bjerë në Serie B dhe t’i hiqen dy tituj. Dënime me pikë pati edhe për klube të tjera, përfshirë Milanin dhe Lazion. Kjo tronditi futbollin italian, por Italia riktheu njëfarë gëzimi kur fitoi Kupën e Botës atë vit, ashtu siç kishte bërë 24 vjet më parë pas një skandali tjetër.

I madhi Paolo Rossi u dënua për dy vjet për përfshirjen e tij në skandalin e basteve të vitit 1980 të njohur si "Totonero", ndërsa ishte në Perugia. Rossi, i cili gjithmonë deklaronte pafajësinë e tij, u ble nga Juventusi në vitin 1981 dhe u kthye nga pezullimi në fund të edicionit 1981/82 - pikërisht në kohë për Kupën e Botës. Atje ai shënoi “hat trick” kundër Brazilit, dy gola kundër Polonisë në gjysmëfinale dhe golin e epërsisë kundër Gjermanisë Perëndimore për të ndihmuar Italinë të fitojë finalen. Rossi u zgjodh lojtari i turneut dhe fitoi “Topin e Artë” atë vit.

Spanjë

Në vitin 2019, më shumë se 40 persona u akuzuan se kishin kurdisur ndeshjen e ligës spanjolle mes Levantes dhe Zaragozas, në fund të edicionit 2010/11. Mes të akuzuarve ishte edhe ish-trajneri i Meksikës, Javier Aguirre, i cili tani është në krye të skuadrës së Mallorcas.

Dy ish-zyrtarë të Zaragozas u shpallën fajtor për mashtrim dhe u dënuan me 15 muaj burg. Një vit më vonë, ish-drejtor i klubit spanjoll, Osasuna, tha se ekipi bëri pagesa për të rregulluar rezultatet e ligës spanjolle. Pagesat supozohet se janë bërë në përpjekje për të mbajtur Osasunan në divizionin e parë si në edicionin 2012/13, ashtu edhe në edicionin 2013/14.

Gjermani

Një skandal futbolli në hije të Luftës së Ftohtë tronditi Bundesligën në vitin 1965 dhe çoi në një nga sezonet më të këqija ndonjëherë nga çdo ekip i divizionit më të lartë. Klubi gjermano-perëndimor Hertha Berlin pati një problem. Lojtarët nuk donin të nënshkruanin për një klub me qendër në Berlinin Perëndimor, gjysma e një qyteti të ndarë që ishte i rrethuar nga Gjermania Lindore.

Hertha e zgjidhi këtë problem me pagesat e fshehta shtesë për lojtarët dhe u rrëzua nga liga si ndëshkim, megjithëse pretendimet vazhdojnë se klubet e tjera kishin skema të ngjashme që mbetën të pandëshkuara. Presioni politik që Berlini Perëndimor të përfaqësohej në Bundesligë bëri që skuadrës Tasmania Berlin, të papërgatitur totalisht, t'i jepej një vend në ligë pak para fillimit të edicionit të ri. Tasmania shënoi vetëm 15 gola gjatë gjithë edicionit, pësoi 108 dhe zhvilloi një ndeshje në “Olympiastadion” me vetëm 827 tifozë, që do të thotë se arena e madhe ishte rreth 1 për qind e mbushur.

Skandali më i madh i Gjermanisë në dekadën e fundit erdhi kur presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoeness, u dënua me burg për evazion fiskal në vitin 2014. Ai u rizgjodh president i Bayernit në vitin 2016, pas lirimit.