Trajnerin e Dritës, Zekirija Ramadanin, e ka gëzuar fakti se futbollistët e Dritës i janë qasur lojës shumë seriozisht përballë Rilindjes 1974.
Drita kaloi në çerekfinale pas fitores 3:0.
“Nuk ka ndeshje të lehta. Të gjitha janë të vështira. Morëm atë që pritëm. Më pëlqeu serioziteti, disiplina. Kisha frikë se si do t’i qaset ekipi ndeshjes, por lojtarët u futën si në finale të radhës, për të arritur deri te finalja e madhe. Kupa është rrugëtim më i shkurtër drejt Evropës. Më gëzon fakti i disiplinës, mospranimi i golit. Më gëzon edhe lajmi i kthimit të portierit Faton Maloku. Me punën që ai bën, shumë shpejtë edhe ai do të jetë i gatshëm për lojë. Do të shohim më vonë se a i kem bërë lëvizjet e duhura në dimër. Kemi menduar gjatë për transferimet, por koha do të tregojë. Përgatitjet kanë ecur mirë. Ardhje ka pasur pak por shumë largime. Por unë nuk vuaj se kemi mungesa. Këta që i kam, besoj në ta. Do ta gjejmë sistemin e duhur që të përshtaten të gjithë”, deklaroi trajneri Ramadani për “ArtMotion” pas ndeshjes.
Ndërkohë, trajneri i Rilindjes 1974, Senad Alirifa, është shprehur i zhgënjyer me eliminimin nga Kupa e Kosovës, por ka nënvizuar se Drita ishte favorite dhe është një prej skuadrave më të forta aktualisht. “Drita ka ekip cilësor, ekip që është pretendent për titull kampioni. Në krahasim me ne, nivelin e ka më të lartë. Ne erdhëm për t’u mbrojtur aq sa mundemi, ndërsa golat i morëm të gjitha nga harkimet. Drita fitoi me meritë”, ka thënë Alirifa për “ArtMotion”.