Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani, pas barazimit me Drenicën 0:0, ka pasur kritika për orarin e ngjeshur që ka skuadra e tij. Të luash çdo dy ditë sipas tij, është masakër që po i bëhet Gjilanit.
Ai ka pasur kritika edhe për fushën në Skenderaj.
“Është ndryshim i madh të luash nga terreni sintetik në atë natyral. Ishte fusha e keqe. Nuk ishte në nivelin e duhur edhe pse janë munduar ta rregullojnë. Kur nuk mund të fitosh në terrene të tilla është e rëndësishëm të mos humbësh. Edhe pse vjen nga dy humbje, Drenica kishte motivin e duhur, kishte dëshirën për të fituar. Ne kishim mundësi të vogla për ta fituar ndeshjen. Luajtëm të dielën, luajtëm sot, do të luajmë në fundjavë. Është një masakër që po i bëhet Gjilanit që të luajmë çdo dy ditë ndeshje. Nuk kishim kohë as të punojmë sa duhet taktikisht për këtë ndeshje”, tha Ramadani.