Sport

Ramadani do të mbetet trajner i Prishtinës

Zekirija Ramadani do të vazhdojë të jetë në krye të Prishtinës, edhe përkundër rezultateve negative në ndeshjet e fundit.

Burime të “Sportit në KTV” bëjnë të ditur se trajneri nga Shkupi e ka mbështetjen e plotë të drejtuesve të klubit.

“Është e sigurt 100 për qind se Zekirija Ramadani do të vazhdojë të jetë trajner i Prishtinës. Ai e ka mbështetjen e Remzi Ejupit, Rrahman Haradinit si dhe të kryesisë. Lajmet që qarkullojnë kinse ai është përshëndetur me lojtarë nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta. Ato vijnë nga persona të caktuar”, ka thënë një burim brenda klubit të Prishtinës.

Zekirija Ramadani mori drejtimin e Prishtinës në fillim të këtij sezoni, duke e zënë vendin e Armend Dallkut që u largua.

Në tri ndeshjet e fundit Prishtina ka pësuar po aq humbje, kurse në total ka katër disfata në nëntë ndeshje të zhvilluara këtë edicion.

Me 11 pikë të tubuara, Prishtina zë vendin e gjashtë në tabelë, 14 pikë më pak se Ballkani që është lider, por suharekasit kanë një ndeshje më shumë të luajtur.