Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ramadani dhe Sumiqi, të ndarë në klube, të bashkuar në synime

Stadiumi olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë shihet qartë nga vendi ku stërvitet Muhamet Ramadani. Objekti gjigant buzë lumit Ibër shihet edhe nga vendi ku ushtron atleti tjetër mitrovicas, Alaudin Sumiqi.

Asnjëri prej tyre, e po ashtu asnjë atlet tjetër, aktualisht nuk mund ta shfrytëzojë për stërvitje stadiumin olimpik.

Stadiumi ka nisur të rinovohet dhe nuk dihet se kur klubet e atletikës dhe ato të futbollit do të mund ta shfrytëzojnë sërish.

Ramadani dhe Sumiqi, njëjtë si atletët e tjerë, kanë bërë zgjidhje të përkohshme.

Hedhësi i gjyles, Ramadani, ka improvizuar një hapësirë në oborrin e shtëpisë së tij, derisa hedhësi i diskut, Sumiqi, po ushtron në hapësirën e gjelbëruar të një shkolle në Mitrovicë.

Edhe Pasi kaloi kufirin e 19 metrave, Ramadani i bindur për suksese të reja Sport Pasi kaloi kufirin e 19 metrave, Ramadani i bindur për suksese të reja

Ramadani, aktualisht atleti më premtues në vend, stërvitet përtej lumit Ibër, në Suhodoll.

“Stadiumin ‘Adem Jashari’, ku kam stërvitur deri tash e kemi të mbyllur, por fatmirësisht e kemi rregulluar një hapësirë në shtëpi, ku edhe stërvita deri tash. E kam rregulluar me babin dhe trajnerin tim. Nga këtu kam synime të mëdha”, ka thënë Ramadani i klubit Mitrovica.

Për t’i arritur synimet, hedhësi i diskut, Alaudin Sumiqi, thotë se duhen investime.

“Nga komuna presim të investohet, sepse jemi sportistë që stërvitemi rregullisht dhe nuk duam që puna jonë të shkoj huq, por t’i sigurojmë Kosovës sa më shumë medalje”, është shprehur Sumiqi i klubit Trepça.

Terreni ku po stërvitet Ramadani është i gjatë 20 metra. Distancën prej 20 metrash është duke e arritur Ramadani me gjylen prej 6 kilogramësh. Terreni ku ushtron Sumiqi është më i gjatë.

Në klube të ndryshme, në terrene të ndryshme, në disiplina të ndryshme. Ramadani e Sumiqi, megjithatë kanë edhe të përbashkëta.

Edhe Ramadani e Suma me synime të njëjta në Algjeri – të thyejnë rekorde Sport Ramadani e Suma me synime të njëjta në Algjeri – të thyejnë rekorde

Janë të vetmit nga Kosova që fituan medalje në garën e fundit ndërkombëtare.

Ata kanë përfaqësuar denjësisht Kosovën në Kampionatin Ballkanik U20, që u mbajt pak kohë më parë në Turqi. Ramadani e fitoi të artën në hedhje të gjyles, kurse Sumiqi medaljen e bronztë në hedhje të diskut. Ramadani, gjylen e rëndë 6 kilogramë e hodhi në distancë prej 18 metrave e 85 centimetrave. Hedhjen e diskut, Sumiqi e pati me largësi 49 metra e 83 centimetra.