Pas dështimit të skuadrave të meshkujve për të lënë gjurmë në Evropë, radhën e ka kampionia te femrat për të provuar për më tepër sukses në skenën evropiane të futbollit.
KFF Mitrovica, që po e dominon futbollin kosovar në vitet e fundit, prej të mërkurës (sot), nis fushatën e re në Ligën e Kampionëve. Skuadra mitrovicase të martën ka udhëtuar për në Mal të Zi, ku luhet turneu i grupit të dytë të raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve në futboll për femra, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në grupin e dytë bëjnë pjesë edhe Olimpia Cluji e Rumanisë, NSA Sofia e Bullgarisë dhe Breznica Plevlja e Malit të Zi, që edhe e organizon turneun.
Rrugëtimi i Mitrovicës do të varet shumë nga ndeshja e parë që e luan të mërkurën (sot, 17:30) ndaj Olimpia Cluj. Cluji llogaritet favorit i grupit. Vetëm fituesi i grupit kalon në fazën nokaut, ku paraqiten skuadrat më të mëdha evropiane të futbollit të femrave.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)