Juergen Klopp, Thomas Tuchel, Bo Svensson?
Të qenit trajner i Mainzit në Bundesligë në mënyrë të pashmangshme do të thotë të krahasohesh me emrat e shquar që filluan në ekipin gjerman dhe vazhduan të stërvitnin klube të klasit botëror.
Klopp dhe Tuchel janë bërë fitues të Ligës së Kampionëve me skuadrat në Angli - Klopp me Liverpoolin, Tuchel me Chelsean. Pas vitesh përpjekjeje për të mbijetuar në Bundesligë, tani Mainzi është përsëri në qendër të vëmendjes me Svenssonin në krye. Puna në Mainz dukej si një propozim humbës kur ish-mbrojtësi danez mori detyrën e trajnerit në janar të këtij viti. Ekipi ishte i parafundit në kampionat dhe tashmë kishte ndërruar tre trajnerë atë edicion. Për tetë muaj Svensson e ka transformuar Mainzin. Skuadra ka fituar 12 nga 25 ndeshjet e ligës me atë në krye dhe barazoi shtatë të tjera, një bilanc i krahasueshëm me ekipet sfiduese për një vend në garat evropiane, por me buxhet shumë më të madh. Edhe pse ishte shumë afër rënies, Mainzi përfundoi i 12-ti edicionin e kaluar dhe është i pesti në tabelë këtë edicion, në prag të ndeshjes me Bayer Leverkusenin që e luan të shtunën.
Svensson e di që Leverkuseni është një test i fortë për ekipin e tij, por insiston se Mainzi është gati edhe për këtë sfidë.
“Ata luajnë futboll dinamik dhe agresiv dhe gjithashtu kanë lojtarë të jashtëzakonshëm në sulm”, tha ai të enjten.
Ardhja e Svenssonit në janar ndodhi pasi Mainzi riktheu ish-drejtorin sportiv Christian Heidel. Ai kishte qenë çelësi për emërimin e Kloppit dhe Tuchelit, atëherë të rinj dhe të papërvojë, më shumë se një dekadë më parë, pasi klubi hyri në divizionin më të lartë për herë të parë. Svensson luajti nën drejtimin e Kloppit dhe Tuchelit gjatë shtatë vjetëve si lojtar i Mainzit dhe pranon se “vodhi” disa ushtrime nga Tucheli, të cilat po i aplikon në stërvitjet e ekipit këtë edicion.
“Të dy ata janë njerëz të veçantë me një karizëm të veçantë”, tha Svensson për Kloppin e Tuchelin. “Është e qartë se ka pasur një ndikim të madh sesi Tucheli drejton një ekip si trajner dhe si i ka zgjidhur situatat e ndryshme. Unë kam vjedhur ushtrime prej tij kur luaja te Mainzi. E kam kuptuar sesi ndërtoni një javë me intensitet stërvitor dhe kur duhet t’i them diçka ekipit”.
Svensson ka kontratë me Mainzin deri në verën e vitit 2025 dhe shpreson që ta ndjekë rrugën e Kloppit dhe Tuchelit, të cilët tani po punojnë në Premier League dhe janë ndër trajnerët më të suksesshëm në Evropë.
Klopp ishte për shtatë vjet në krye të Mainzit ( 2001-2008), përpara se të vazhdojë te Borussia Dortmundi, ndërsa prej vitit 2015 po e udhëheq skuadrën e Liverpoolit, me të cilën ka fituar edhe titullin e kampionit të Anglisë. Ndërkohë, Tuchel ishte për pesë sezone trajner te Mainzi (2009-2015) për të vazhduar te Dortmundi, Paris Saint-Germaini dhe Chelsea, ekip që e mori në fillim të këtij viti.
“Do të ishte madhështore të shkoja hapave të tyre, por unë ende jam në fillim të karrierës si trajner. Kam kontratë me Mainzin dhe jam i fokusuar që këtë edicion ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Svensson, 42-vjeçar.
Svensson zejen e trajnerit e nisi në vitin 2019 në Austri, te ekipi i kategorisë së dytë, Liefering, përpara se ta marrë drejtimin e Mainzit.