Me formacionin 3-4-1-2 ka vendosur të luajë trajneri i FC Strugës, Shpëtim Duro, në duelin e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës kundër Swift Hesperanges së Luksemburgut.
Në portë, Duro ka vendosur portierin Vedran Kjosevski. Në mbrojtje do të luajë treshja Mexhit Neziri, Sava Radiq dhe Besart Krivanjeva. Në mesfushë janë renditur Edis Malikji, Besmir Bojku, kapiteni Bunjamin Shabani dhe Vangjel Zguro.
Mentor Mazrekaj do të jetë prapa sulmuesve Besart Ibraimi dhe Marjan Radeksi. Ndërkohë, trajneri Carlos Fangueiro, ka vendosur të luajë me formacionin 4-4-2 me skuadrën e Luksemburgut.
Ballafaqimi mes këtyre dy skuadrave do të luhet në kompleksin stërvitor të Federatës së Futbollit të Maqedonisë në Shkup, nga ora 17:00.
Fituesi i këtij dueli do të luajë me humbësin e ndeshjes Zrinjski – Breidablik, që luajnë në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.