Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Propozohet kufizimi i buxhetit për paga të futbollistëve

Kryetari i Federatës së Futbollit të Gjermanisë (DFB), ka propozuar kufizim të buxhetit për paga, për ta bërë sportin më të qëndrueshëm. Fritz Keller ka thënë se pandemia e koronavirusit ka ofruar rastin për të implementuar reformat për të ardhmen.

Bundesliga e Gjermanisë ka rifilluar të shtunën dhe është bërë liga e parë e madhe evropiane e futbollit që vazhdon pas paraqitjes së COVID – 19.

“Ne duhet të sjellim futbollistët profesionistë më afër njerëzve sërish”, ka thënë Fritz Keller për faqen zyrtare të federatës gjermane. “Ne duhet të mendojmë për kufizim të buxhetit për paga. Përqindja për këshilltarët e lojtarëve dhe shumat e mëdha për transferime po acarojnë shoqërinë gjithnjë e më shumë dhe po e largojnë nga sporti ynë i dashur”, ka shtuar ai.

Sipas kryetarit të DFB-së, futbolli gjerman duhet të jetë vetëkritik. Keller thotë se kriza ofron mundësi për të shikuar përpara dhe që futbolli të ripozicionohet në mënyrë që të ruhet për gjeneratat e ardhshme.