Pronari i Ferizajt, Brian Deane, kërkon që të përforcohet elita e futbollit kosovar, ndërsa synimi kryesor i tij është që të nxjerrë sa më shumë lojtarë në Evropë.
51-vjeçari Deane, ish-futbollist i shumë ekipeve të njohura në Premier League, në një intervistë dhënë për “Sportin në KTV”, ka treguar synimet me Ferizajn, ndërsa ka folur edhe për karrierën e tij si futbollist dhe Përfaqësuesen e Kosovës në futboll, të cilën e vlerëson shumë.
Pronari Deane ka thënë se është shumë e vështirë që skuadrën ta përforcojë me futbollistë anglezë, pasi tregu atje është shumë i madh dhe lojtarët mendojnë kalimin në liga më të forta.
51-vjeçari është në histori të elitës së futbollit anglez. Ai u bë futbollisti i parë që shënon në rangun më të lartë të futbollit atje, qëkur liga mori emrin në Premier League.
Deane ka theksuar se e ka përcjellë Kosovën në futboll, por për duelin me Anglinë, u jep avantazh anglezëve, megjithëse për “Dardanët”, ka dhënë një këshillë.
Bashkë me pronarin e ri të ferizajasve ishte edhe vëllai i njërit prej mbrojtësve më të mirë në histori të futbollit, Rio Ferdinandit, Anton Ferdinand.
34-vjeçari Ferdinand, që në të kaluarën ka luajtur me West Hamin, QPR-në, Bursasporin dhe disa ekipe tjera, është krenar që vëlla e ka Rion. Ai ka thënë se nuk ka folur me të për ndeshjen e Anglisë me Kosovën në shtator, por ka nënvizuar se promovimi për Kosovën do të jetë shumë i madh.
Deane ndërkohë për Ferizajn ka premtuar se do të bëjë punë shumë të madhe, e cila do të jetë ndihmesë edhe për futbollin kosovar.
Ish-futbollisti i Doncaster Rovers, Sheffield United, Leedsit, Benficas, Middlesbroughit, Leicester Cityt e Sunderlandit në Angli, në karrierën e tij si sulmues ka luajtur në 653 ndeshje gjithsej, dhe ka shënuar 195 gola.