Prizren, 31 janar – Për herë të parë qyteti i dytë më i madh në vend, Prizreni, është bërë me derbi lokal të futbollit. Që nga fillimi i edicionit 2020/2021 në Ligën e Parë, Grupi A, Liria e ka rival të qytetit ekipin A&N.
Derbin e parë e kishte fituar skuadra me traditë, Liria, me rezultatin 2:0, në “Përparim Thaçi”.
Në vitet e para të pasluftës aktiv dhe goxha i suksesshëm në Prizren ishte klubi Getoari, që u shua në vitin 2003. Por, Getoari në garat kampionale nuk u takua asnjëherë me Lirinë.
Liria dhe A&N po përgatiten intensivisht për t’u inkuadruar në Superligë. Këto skuadra nuk po i ndal as bora. Skuadra A&N, që është emëruar në bazë të inicialeve të dy fëmijëve të familjes Buduri, vlerësohet senzacion në futbollin e Kosovës në dy vjetët e fundit.
A&N është klub privat i themeluar nga Agim Buduri. Në vitin 2019 i nisi garat nga Liga e Dytë, kurse që nga vera e vitit 2020 është pjesë e Ligës së Parë.
Ky ekip u fuzionua me Kosovën e Prishtinës në vitin 2019 dhe brenda tre vjetësh mund ta prekë Superligën. A&N posedon stadiumin e vet, “Boka”, në Korishë të Prizrenit si dhe përkrahet nga tifozët “Ilirët”. Ekipin prizrenas e drejton trajneri Megzon Visoka, i cili thotë se synimi është inkuadrimi në elitë dhe zhvillimi i akademisë.
“Synimi i klubit është futja në Superligë. Në momentin që kam ardhur këtu kemi qenë larg me pikë, mirëpo pas një pune të madhe nga presidenti, stafi teknik dhe futbollistët, kemi arritur që atë diferencën e pikëve ta shkurtojmë dhe kemi hyrë në garë për titull. Mirëpo, për këtë më meritorët janë futbollistët të cilët në përpikëri, me shumë disiplinë i zbatojnë detyrat që unë i jap. Nuk është prioritet as imi e as i klubit që vetëm të shpenzojmë, të marrim lojtarë, mirëpo gradualisht edhe do të marrim, por edhe do të prodhojmë lojtarë, edhe për klubin tonë, por normal edhe synimi i klubit është të prodhojë futbollistët edhe për më larg se Kosova”, tha Visoka.
Trajneri Visoka, që e mori ekipin nga Prizreni thuajse të dorëzuar, ia doli që me shtatë fitore dhe një barazim në tetë ndeshje, ta fusë seriozisht në garë për inkuadrim në elitë.
Ai ka besim te madh te skuadra që drejton.
“Do të komponohemi shumë shpejt dhe do të vazhdojmë tutje në rrugën tonë drejt qëllimit përfundimtar që është, edhe pse është shumë e vështirë, mirëpo besoj shumë te futbollistët, tek organizimi i klubit dhe them me bindje se do të jemi mjaft konkurrues në këtë gjashtëmujor. Projektit të klubit i kam besuar jashtëzakonisht shumë, sepse edhe më herët kam pasur miqësi me presidentin Agim Buduri, i cili është njeri që jeton me futbollin 24 orë”, u shpreh Visoka.

Optimizëm i madh te lojtarët e A&N
Kapiteni i skuadrës që nga krijimi i saj, Altin Sylejmani, thotë se synimet janë të qarta. Ai flet edhe për rivalitetin që kanë krijuar në Prizren ndaj Lirisë.
“Jemi dy pikë larg vendit të parë. Synimi patjetër që është Superliga. Kemi ekip shumë cilësor dhe mendoj që do t’ia dalim. Kam dëshirë që të dyja klubet, A&N dhe Lira të përfundojnë në Superligë, por se cila do të përfundojë, do të jetë e mirë për qytetin e Prizrenit. I ka munguar Prizrenit një derbi lokal. Qytet i madh e të mos ketë derbi - besoj që tani i ka ardhur koha”, deklaroi Sylejmani.
Se te kjo skuadër e kanë seriozisht futjen në Superligë, e tregon edhe numri i madh i lojtarëve të saj, të cilët në të kaluarën kanë qenë pjesë e elitës. Dy prej tyre janë Albutrint Morina dhe Hasan Hyseni. Morina i është bashkuar ekipit në këtë afat kalimtar.
“Ka qenë insistimi i trajnerit të jem në këtë ekip dhe po ashtu edhe objektivat e ekipit që është inkuadrimi në Superligë kanë qenë një arsye më tepër për të ardhur këtu. Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Ka seriozitet në ekip dhe shpresoj që do të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen”, tha Morina.
Optimist se mund t’ia dalin që për herë të parë në histori të dërgojnë A&N-në në Superligë, është shprehur edhe sulmuesi Hasan Hyseni.
“Pa dyshim që projekti i klubit më ka bindur që të vij tek A&N. Besoj që me ndihmën e krejt ekipit, do të arrijmë Superligën. Jemi duke u përgatitur maksimalisht dhe besoj që do të arrihen objektivat e klubit”, tha Hyseni.
A&N që nga e enjtja është zhvendosur në Durrës për të kryer fazën e fundit të përgatitjeve. Në afatin kalimtar të janarit është përforcuar me Albutrint Morinën, Astrit Berishën, Valdo Zeqajn, Kadri Birjan, Djellon Dragushën dhe Durim Gashin.
A&N do të luajë edhe në 1/8 e finales së Kupës së Kosovës në futboll, ku do të përballet me Flamurtarin.
Prizrenasit e kanë mbyllur stinorin vjeshtor në pozitën e tretë në Ligën e Parë, Grupi A, me 24 pikë, dy më pak se Dukagjini e Malisheva që ndajnë vendet një dhe dy me pikë të barabarta.
Liria nuk është dorëzuar
Superligën po e synon edhe Liria, klub me traditë në futbollin kosovar. Për të arritur synimet, në krye të Lirisë është vendosur trajneri Naxhi Shensoj (Naci Sensoy), i lindur në Prizren, por që 34 vjet jeton në Stamboll të Turqisë. Shensoj e di sfidën e cila e pret dhe për këtë fakt thotë se e ka veshur “këmishën prej zjarri”.
Turqi e thonë një fjalë, e kam vesh këmishën prej zjarri, ashtu thonë dhe është shumë nxehtë sepse nëntë pikë jemi larg liderit momentalisht. Por, bordi i klubit nuk do të dorëzohet dhe më ka thirrur mua. Janë 13 ndeshje dhe potencialisht janë aty të fitohen 39 pikë. Unë i dua sfidat e tilla si trajner dhe nuk i dua punët e lehta. Ku është puna e vështirë, më thirrin mua”, tha Shensoj.
Për prizrenasin e rritur në Stamboll, Kosova është shteti i shtatë në të cilin punon si trajner. Ai flet edhe për rivalitetin që është krijuar në Prizren me ekipin A&N.
“Dua ta lëvdoj punën e bordit të A&N dhe kryetarin për idenë që kanë pasur për të hyrë në konkurrencë me Lirinë. Mendoj që konkurrenca do ta ngritë shumë futbollin në Prizren”, theksoi trajneri i Lirisë.
Përveç trajnerit, Liria ka sjellë në Prizren edhe futbollistët Martin Kovachev e Borislav Baldzhiyski, kurse ka rikthyer në skuadër portierin Armend Rugji dhe lojtarët Roni Gashi e Liridon Fetahaj. Kapiteni Robert Gjeraj dhe sulmuesi Liridon Fetahaj besojnë se mund t’ia dalin që ta rikthejnë Lirinë në Superligë.
“I kemi të gjitha kushtet financiare, kushtet për stërvitje dhe të tjera për të arritur qëllimin që ka Liria për t’u futur në Superligë. Ka shumë ndeshje, janë edhe 39 pikë në lojë. Është e bukur për futbollin e qytetit, kur e sheh se e ke një ekip konkurrent. Edhe ata e synojnë Superligën dhe i kanë kushtet fantastike, mirëpo unë mendoj që Liria është klub shumë i madh dhe i mungon shumë Superligës. Besoj që në fund ne do t’ia dalim”, u shpreh Gjeraj.
“Kemi biseduar edhe me kryetarin e klubit, i cili na ka premtuar se do të ketë transferime të forta dhe do të luftojmë për inkuadrim në Superligë. Unë kam ardhur për atë qëllim, që ta ndihmoj klubin e qytetit që të hyjë në Superligë. Edhe A&N është përgatitur mirë, ka marrë lojtarë të mirë, është ekip i mirë. Mendoj që atë e kemi rival të qytetit dhe nuk mund ta kemi diçka më shumë. Shpresoj që edhe A&N të ketë sukses, pse jo edhe një ekip i Prizrenit të shkojë përpara”, deklaroi Fetahaj.
Që nga e enjtja edhe Liria ndodhet në Durrës për fazën e fundit të përgatitjeve.
Liria e ka mbyllur pjesën vjeshtore në pozitën e gjashtë me 17 pikë, në Grupin A të Ligës së Parë. Hera e fundit kur prizrenasit ishin pjesë e Superligës ishte edicioni 2018/2019.
