Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Prishtina “stërvit” me Pejën

Sigal Prishtina është kthyer te fitorja, pasi ka mposhtur me lehtësi rivalin e vjetër Pejën me 53 pikë diferencë 116:63.

Në këtë ndeshje trajneri Andin Rashica, pushoi Edmond Azemin, Fisnik Rugovën dhe Alban Veselin. “Bardhekaltrit” e nisën ndeshjen furishëm duke krijuar epërsi të lartë qysh në fillim të takimit. Nga ana tjetër, Peja, e pafuqishme nuk arrinte t’i ndalte basketbollistët vendës.

Kryeqytetasit, falë lojës së mirë arritën që në pushim të shkonin me epërsi të lartë prej 25 pikësh, 55:30. Prishtinasit dominuan edhe në dy periudhat e fundit duke mos e rrezikuar fitoren në asnjë moment dhe triumfuan në fund 116:63.

Te Prishtina pesë basketbollistë mbyllën takimin me pikë dyshifrore, ndërsa lojtari më efikas ishte alo-qendra kroate Filip Bundoviq, me double-double prej 33 pikësh e 10 kërcimesh. Te Peja, me lojë të mirë u dallua Beq Kovaçi, me 33 pikë të shënuara.