Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Presidentja Osmani pritet me duartrokitje nga lojtarët e Kosovës: Jeni krenaria jonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka vizituar të hënën futbollistët e përfaqësueses së Kosovës. Ajo është pritur me duartrokitje nga Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Milot Rashica dhe të tjerët.

Kosova po përgatitet për ndeshjen e së premtes ndaj Rumanisë. Më pas e ka edhe ndeshjen me Bjellorusinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Presidentja Osmani ka mbajtur një fjalim të shkurtër para futbollistëve, ndërsa ka vlerësuar kontributin e tyre për promovimin e shtetit të Kosovës.

“Vetëm desha të vij e t’ju falënderoj për përkushtimin e jashtëzakonshëm në përfaqësimin e shtetit tonë, Republikës sonë, për të cilën është sakrifikuar aq shumë. Sot është një ditë, 12 Qershori, Dita e lirisë sonë. Secili prej nesh e përkujton atë sakrificë, por nuk ka krenari më të madhe sesa ta shohim secilin prej jush duke e nderuar atë sakrificë aq shumë, duke e nderuar Republikën tonë dhe flamurin tonë”, ka thënë presidentja Osmani para futbollistëve.

Ajo ka theksuar se prej futbollistëve pritet fitore të premten. Ndeshja me Rumaninë luhet në “Fadil Vokrri”.

“Faleminderit gjithsecilit dhe ju uroj shumë suksese. Desha të vija dhe t’ju uroja suksese. Natyrisht presim fitore. Por pavarësisht rezultatit, jemi gjithmonë me ju. Jeni krenaria e vendit secili prej jush. E di që shumë prej jush jetoni jashtë vendit, nuk jetoni në Kosovë. Kjo tregon se pavarësisht se sa larg jeni, një copë Kosove e mbani gjithnjë me vete. Dhe që jeni të interesuar për fuqizimin e shtetin tonë në sport. Por përmes sportit jeni shndërruar në ambasadorë të fuqishëm. Ne bëjmë tifo për ju edhe kur jeni në Kombëtaren e Kosovës, por edhe në klubet perspektive”, ka vazhduar presidentja Osmani.

Përkrah saj ka qëndruar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Ai ka premtuar sukses historik.

“Këta djem do ta kualifikojnë Kosovën në Evropian sivjet. Pas kualifikimit do të jemi në Presidencë”, ka thënë Ademi, që ka shtuar se presidentja Osmani është përkrahëse e madhe e përfaqësueses.

Kosova ka mbledhur vetëm dy pikë në dy ndeshjet e para. Ndeshja me Rumaninë i jep kahe rrugëtimit të saj.