Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Presidenti i Zuerichut konfirmon largimin e Kolollit

Presidenti i Zuerichut, Ancillo Canepa ka konfirmuar se Benjamin Kololli do të largohet gjatë kësaj vere. Ai në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick” ka thënë se Kololli ka refuzuar ta nënshkruajë kontratën e re.

“Ne i kemi bërë një ofertë për vazhdimin e kontratës. Por, në fund të karrierës së tij ai do të dëshironte të ishte në gjendje të nënshkruante një kontratë të madhe diku”, ka thënë Canepa.

Kolollit 29-vjeçar në fund të muajit të ardhshëm i skadon kontrata, ndërsa këtë edicion futbollisti i Kosovës ka shënuar gjashtë gola dhe ka bërë po aq asistime në 22 paraqitje në Superligë dhe Kupë të Zvicrës.

Ai ka folur edhe për largimin e Toni Domgjonit.

“Toni është një djalë i mirë dhe një futbollist i shkëlqyeshëm. Por, ai duhet të mësojë ta marrë jetën e tij në duart e tij dhe të mos ua lë gjithnjë këshilltarëve dhe familjes së tij. Gjithsesi, i uroj fat dhe suksese në të ardhmen”, është shprehur Canepa.