Sport

Pos te Prishtina, vëllezërit Zeqiri synojnë të luajnë së bashku edhe te Kosova

Basketbollistët Lejson e Jetmir Zeqiri janë të interesuar ta përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Edhe pse si lojtarë janë zhvilluar në Maqedoninë e Veriut, vëllezërit që janë pjesë e Sigal Prishtinës këtë edicion, e kanë prejardhjen nga Kosova. Familja e tyre është nga fshati Zhegovc i Komunës së Gjilanit, kurse Lejsoni ka lindur në Prishtinë. Ai është pesë vjet më i vogël se Jetmiri, i cili ka lindur në Gjermani. Asnjëri prej tyre nuk ishte pjesë e listës së gjerë të përzgjedhësit Christos Marmarinos për ndeshjet e muajit nëntor, të cilën e publikoi të enjten. Marmarinos në listën e tij ka përfshirë 17 lojtarë, të cilën pastaj do ta reduktojë në 12, për duelet në fund të nëntorit. Kosova më 25 nëntor do të përballet në udhëtim me Norvegjinë, ndërsa tri ditë më vonë e pret Suedinë, ndeshje këto që do të zhvillohen në kuadër të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”.

Image

Lejson Zeqiri

“Unë jam pajisur me të gjitha dokumentet e Kosovës dhe nëse më vjen ftesa, do ta pranoj me kënaqësi”, tha Lejsoni 20-vjeçar, që shtoi se vëllai i tij është në procesin e kompletimit të dokumentacionit. “Ne e kemi prejardhjen nga Kosova, pasi familjen e kam nga Zhegovci i Gjilanit. Jetmiri ka lindur në Gjermani, kurse unë kam lindur në Prishtinë dhe një pjesë të fëmijërisë e kam kaluar në këtë qytet”.

Para fillimit të këtij edicioni, vëllezërit iu bashkuan Prishtinës. I pari ishte Lejsoni, ndërsa një muaj më vonë, pjesë e ekipit nga kryeqyteti u bë edhe Jetmiri. Ata për herë të parë po luajnë së bashku në një ekip, që ishte edhe ëndrra e Lejsonit prej kur ka filluar hapat e parë në basketboll. Sebep që Lejsoni u bë basketbollist është pikërisht Jetmiri.

“Basketbollin e kam filluar në moshën 14-vjeçare shkaku i vëllait. Ai kishte nisur të luante dhe unë shkoja vazhdimisht pas tij dhe aty më ka lindur dashuria për basketbollin. Në fakt ai edhe më ka hapur dyert në këtë sport”, pranon Lejsoni, që ka nisur te Liria e Shkupit përpara se të bashkohej me Jetmirin në gjeneratat e reja të Vardarit të Shkupit.

“Është hera e parë që me Jetmirin luajmë së bashku në një ekip në nivelin senior dhe po ndihemi shumë mirë. Gjithmonë e kam ëndërruar këtë moment dhe tani po e shijojmë. Kalimin te Prishtina e vlerësoj si hap të rëndësishëm në karrierë, pasi jam pjesë e klubit më të suksesshëm. Pasi iu bashkova Prishtinës, një muaj më vonë erdhi edhe Jetmiri”.

Lejsoni sezonin e shkuar ishte pjesë e ekipit të dytë të MZT-së, ndërsa Jetmiri luante për Pelisterin në Maqedoninë e Veriut. Ata luajnë në pozitën e njëjtë dhe këtë sezon po synojnë trofe me Prishtinën. Lejsoni është 204 centimetra i gjatë, kurse Jetmiri 200 centimetra dhe deri më tani kanë treguar paraqitje të mira te Prishtina. Në gjashtë ndeshje në Superligën e Kosovës, Lejsoni ka një mesatare prej 14 pikëve, ndërsa Jetmiri po luan me 11 pikë mesatarisht dhe ka shtatë paraqitje.

“Luajmë në pozitat e njëjta, por mund të them se kemi një konkurrencë të shëndoshë. Zakonisht pas çdo ndeshjeje, mundohemi ta këshillojmë njëri-tjetrin për t’u përmirësuar. Madje edhe gjatë ndeshjes i japim këshilla njëri-tjetrit, pasi duam që të kemi paraqitje sa më të mira”.

Synimi i vëllezërve Zeqiri këtë sezon është të fitojnë trofe me Prishtinën dhe për këtë Lejsoni është optimist. Ai thotë se do të ishte mirë që një sukses të tillë ta përjetonte me vëllain si bashkëlojtar.

“Synojmë ta vazhdojmë traditën, pra të fitojmë trofe së bashku edhe në nivelin senior, pasi me gjeneratat e reja kemi fituar titull te Vardari. Pasi nuk arritëm të fitojmë asnjërën prej Superkupave, duam Kupën dhe titullin. Jemi ekip i ri që po rindërtohet, por po luajmë mirë dhe kemi cilësi”, u shpreh Zeqiri.

Krahas Superligës së Kosovës, skuadra e Prishtinës këtë edicion po paraqitet edhe në Ligën Ballkanike, ku ka një fitore e dy humbje në kuadër të Grupit B.

Image

Jetmir Zeqiri