Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Portugalia ndërron portierin në prag të ndeshjes me Turqinë

Përfaqësuesja e Portugalisë e ka ftuar portierin e Wolverhamptonit, Jose Sa, për ta zëvendësuar Anthony Lopesin në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botërorin “Katari 2022” kundër Turqisë, që e luan të enjten. Në njoftimin e Federatës së Futbollit të Portugalisë, thuhet se Lopes e ka dëmtuar krahun në stërvitje dhe për këtë arsye është zëvendësuar me 29-vjeçarin Sa.

Ky është ndërrimi i dytë te Portugalia prejse është grumbulluar që të përgatitet për ndeshjen me Turqinë. Po ashtu, përzgjedhësi Fernando Santos e ka ftuar Tiago Djalon në vend të qendërmbrojtësit Pepe, i cili ka rezultatuar pozitiv me koronavirus.

Portugalia e pret të enjten Turqinë në duelin e plejofit, ndërsa fituesi i kësaj ndeshjeje do të luajë në finale kundër fituesit të gjysmëfinales tjetër që luhet në Palermo ndërmjet Italisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Portugalisë do t’i mungojnë edhe Ruben Dias dhe Ruben Neves për shkak të lëndimit.