Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Portugalia dominon në transferime, por po i mungon suksesi sportiv

Asnjë shtet nuk ka fituar nga transferimet e futbollistëve gjatë dekadës së fundit sa Portugalia. Por vendlindja e superagjentit Jorge Mendes ende ka shumë për të bërë që t’i shndërrojë fitimet e shkëlqyeshme në suksese në fushë.

Sipas një raporti të FIFA-s të publikuar muajin e kaluar për të shënuar 10-vjetorin e Sistemit të Transferimeve (TMS), platforma e krijuar për të regjistruar transferimet e lojtarëve, klubet portugeze mburren me një bilanc pozitiv transferimi prej rreth 2.5 miliardë eurosh.

Midis vitit 2011 dhe 2020 rreth 15 për qind e transferimeve më të shtrenjta në botë erdhën nga liga portugeze, e cila këtë edicion ka tri ekipe në Ligën e Kampionëve, për herë të parë që nga viti 2017. Por Portugalia nuk ka pasur fitues qëkur Porto triumfoi nën drejtimin e Jose Mourinhos në vitin 2004.

“Shumat e përfshira në këto transferime mund të shpjegohen nga roli i Portugalisë si një urë lidhëse midis Amerikës së Jugut dhe ligave kryesore evropiane”, tha Loic Ravenel, studiues në Observatorin e Futbollit, CIES.

Raporti i FIFA-s thotë se rruga nga Brazili në Portugali ishte më e ngarkuara në botë gjatë 10 vjetëve të fundit për lojtarët që transferohen mes klubeve, me 1550 lojtarë që zbarkojnë në Evropë nëpërmjet Portugalisë, një vend me një popullsi prej vetëm dhjetë milionë banorësh. Shembulli i brazilianit Eder Militao, i cili u ble në vitin 2018 nga Porto, që ia pagoi shtatë milionë euro Sao Paolos dhe pastaj e shiti pas afro një viti te Real Madridi për 50 milionë euro, është një demonstrim i qartë se sa fitimprurëse mund të jenë këto transaksione. Në qendër të gjithë kësaj janë agjentët portugezë, të cilët janë bërë “jashtëzakonisht me ndikim” për shkak të “njohurive të tyre të hollësishme për tregjet në Amerikën e Jugut, Portugali dhe ligat kryesore evropiane”, thotë Ravenel.

Edhe Shumë “Spanjë” brenda Portugalisë Botërori 2026 Shumë “Spanjë” brenda Portugalisë

Mendes, ndoshta agjenti më i fuqishëm i futbollit në botë, është i njohur për fitimin e shumave të mëdha të parave për marrëveshjet midis Portugalisë dhe klubeve elitare të Evropës. Mes vitit 2011 dhe 2020, agjentët portugezë fituan 320 milionë euro nga transferimet, gjë që e vendos Portugalinë si vendi i katërt në botë për kostot e ndërmjetësimit.

“Prania e agjentëve po rritet në Portugali”, tha Emanuel Medeiros, themeluesi i Aleancës Globale për Integritetin në Sport (SIGA), i cili është i shqetësuar për ndikimin e tyre në rritje mbi lojtarët që ndonjëherë janë “akoma amatorë dhe të mitur”.

Derisa tri klubet e mëdha portugeze, Sportingu, Benfica dhe Porto, zënë tri vendet e para për fitimet e bëra nga transferimet, stabiliteti financiar dhe suksesi sportiv lë për të dëshiruar.

“Është një ligë borxhi sepse buxhetet bazohen tërësisht në transferimet e lojtarëve dhe nëse shitjet e pritshme nuk arrijnë humbjet janë të menjëhershme”, thotë Ravenel.

Edhe Lojtarët e rinj nga Brazili mund të jenë transferime të minutës së fundit për klubet evropiane Sport Lojtarët e rinj nga Brazili mund të jenë transferime të minutës së fundit për klubet evropiane

Reduktimi i të ardhurave të shkaktuara nga pandemia Covid-19 bëri që Benfica të përjetonte humbjet e para financiare sezonin e kaluar që nga edicioni 2012/13. Llogaritë e Sportingut, që nuk e ka fituar titullin që nga viti 2002, janë gjithashtu në zonë të kuqe. Porto pritet të njoftojë fitimet pas disa vjetësh të kaluara nën kufizimet e ferplejit financiar.

“Në Portugali nuk ka një centralizim të të drejtave televizive dhe komerciale, të cilat do të sillnin burime të tjera të ardhurash dhe një ekuilibër më të mirë në ligë”, thotë Medeiros. “Në mënyrë që Portugalia të jetë më konkurruese, klubet e saj do të duhej të arrinin të mbajnë disa nga lojtarët e tyre. Por diferenca në pasuri është rritur aq shumë viteve të fundit, veçanërisht në krahasim me ekipet si Manchester City ose Paris Saint-Germain”, shton Ravenel.