Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Politika bëhet pengesë për pjesëmarrjen e boksierëve nga Kosova në Botëror

Boksierëve të Kosovës sërish po iu shfaqen probleme për pjesëmarrje në Kampionatet Botërore nga shtetet që nuk e njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës. Ndërsa, rasti i fundit është Botërori që do të mbahet në Alicante të Spanjës prej 13 deri më 27 nëntor, ka njoftuar Federata e Boksit të Kosovës duke reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook. Federata bën të ditur se e ka paraqitur ekipin me kohë për pjesëmarrje në këtë ngjarje dhe ka aplikuar me kohë që të pajisen me viza anëtarët e saj që do të paraqiteshin në Spanjë. Megjithatëm, të enjten kanë marrë një përgjigje negative nga Ambasada e Spanjës me seli në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

“Pasi kemi studiuar në detaje rastin tuaj, na vjen keq t'ju informojmë se nuk e konsiderojmë atë një nga përjashtimet e parashikuara në emailin tonë të mëparshëm, kështu që procesi i aplikimit për vizë nuk do të pranohet”, thuhej në përgjigjen e ambasadës spanjolle.

Vizat u janë refuzuar boksierëve Taulant Jakupi (86 kg) e Donat Sylës (92 kg), si dhe trajnerit Besim Brahimi e gjyqtarit Latif Demolli. “Ne kemi kërkuar sqarime nga Federate Botërore (IBA) për mospaisje me viza, por jemi shumë të pikëlluar që morëm këtë lajm dhe e konsiderojmë vërtet të papranueshëm, pasi besojmë se politika nuk duhet t'i ndalojë sportistët tanë të marrin pjesë”, ka shkruar federata kosovare. “Boksierët tanë janë të përgatitur maksimalisht, janë në formë të mirë dh është një ëndërr e madhe për të që të jenë pjesë e këtij kampionati botëror”.

Federata e Boksit të Kosovës, ka kërkuar nga IBA që të angazhohet dhe të bëjë përpjekje maksimale që boksierët kosovar të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të kenë të drejtën e pjesëmarrjes në të gjitha ngjarjet e mëdha, sikurse të gjithë boksierët e federatave tjera që janë nën ombrellën e Federatës Botërore të Boksit. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që boksierëve të Kosovës u mohohet pjesëmarrja në ngjarje të tilla, pasi më herët i është mohuar hyrja në Indi dhe Serbi. Ndërsa, në përgjigjen e IBA-s, thuhet qartë se për shkak të politikës t’i lëshojnë vizat pa u konsultuar me Madridin.

“Kam folur me ambasadën dhe më kanë thënë se presin përgjigje nga Madridi, pasi për shkak të situatës politike nuk mund ta zgjasin vizën pa u konsultuar më parë. Për çdo gjë, jemi në kontak”, është përgjigjur IBA.