Pas kritikave të panumërta drejt Përfaqësueses së Zvicrës në futboll, sidomos pas ndeshjes me Italinë, përzgjedhësi Vladimir Petkoviq, 57-vjeçar, e ka kërkuar përkrahjen e gjithë zviceranëve.
Ai në një letër të hapur e emocionuese të publikuar në gazetën “Zvicra në vikend”, u është drejtuar zviceranëve në përgjithësi që t’i qëndrojnë prapa ekipit.
Ai ka kërkuar falje për rezultatet e dobëta, ndërsa ka shkruar se e kanë dhënë më të mirën, por se edhe pandemia ka ndikuar negativisht.
“Jemi njerëz që provojmë t’i plotësojmë kërkesat, por për fat të keq, jo gjithmonë kemi sukses. Ne jemi si familje e madhe në të cilën ka përplasje, keqkuptime, më pas bisedojmë dhe sqarojmë gjithçka. Përqafohemi dhe së bashku jemi të gatshëm t’i arrijmë synimet tona Kundër Italisë nuk kemi arritur ta mposhtim një kundërshtar të fortë. Në shansin e fundit, me përmirësime, duhet të sjellim orientimin e duhur taktik, vlefshmërinë tonë dhe virtytet si solidariteti, identifikimi, kënaqësia dhe respekti”, ka shkruar ndër të tjerash Petkoviq.
“Lojtarët dhe trajnerët kanë ndjenja, brengosen, shqetësohen dhe kënaqen si çdo kush tjetër. Edhe ne mund të prekemi”, përfundoi ai.