Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e mbajti stërvitjen e fundit para nisjes për në Baku.
Në kryeqytetin e Azerbajxhanit, përfaqësuesja “Verdhekaltër” do të udhëtojë të enjten në mëngjes, ndërsa pasdite do ta zhvillojë stërvitjen e fundit në Baku para ballafaqimit me Azerbajxhanin të premten nga ora 18:00, me orën tonë lokale.
Stërvitja në stadiumin “Fadil Vokrri” të mërkurën paradite ishte e mbyllur për media dhe shikues, ndonëse nuk kishte paralajmërim nga Federata e Futbollit e Kosovës për një gjë të tillë, raporton KTV.
Të gjithë futbollistët ishin të gatshëm dhe në formë të mirë, ndërsa është punuar në intensitet të lojës në ofensivë e defensivë, lojë taktike, por edhe nga ndërprerjet, që sipas përzgjedhësit Bernard Challandes është element shumë i rëndësishëm në lojën e futbollit.
Ai e ripërsëriti edhe një herë se Kosova duhet të luajë e bashkuar, si një trup i vetëm.
“Sot ishte stërvitje me më shumë intensitet dhe ka luajtur sulmi kundër mbrojtjes. Pati edhe stërvitje taktike, nga ndërprerjet, që është shumë e rëndësishme. Kemi parë edhe në Botëror shumë gola nga ndërprerjet. Ne duhet të luajmë në hapësira të shkurtra, dhe ndërrim të lojës. Stërvitëm kur e kishim topin, dhe stërvitëm pa top, pasi duhet menjëherë që ta rifitojmë atë, me presion dhe reagime të shpejta sepse ky është futbolli modern. E rëndësishme për ekipin e Kosovës është nëse lojtari e kupton situatën që është më e mira për ekipin dhe jo për veten. Unë jam lojtar i mirë, unë duhet të luajë. Jo. Nuk ka UNË në ekip, ka NE, NE si ekip i Kosovës”.
Ndërkohë, futbollistët Herolind Shala dhe Mërgim Vojvoda, nënvizuan se e rëndësishme është që nga Azerbajxhani të kthehen pa disfatë.
Kosova në Ligën e Kombeve do të bëj gara në Ligën D në Grupin 3, së bashku me Azerbajxhanin, Ishujt Faroe dhe Maltën.
Me Azerbajxhanin luan të premten, ndërsa tri ditë më pas i pret Ishujt Faroe në ballafaqimin e parë zyrtar si vendëse në stadiumin e rinovuar “Fadil Vokrri.