Sport

Peja pa Dardanin shumë e fortë për Prishtinën

KB Peja e ka nisur me fitore fazën e “play-offit” pasi të dielën në palestrën “Karagaçi” ka mposhtur me rezultat të thellë Sigal Prishtinën 106:77. Në këtë ndeshje nuk u paraqit Dardan Berisha shkaku i një lëndimi të pësuar.

Pejanët me një fitore në ndeshjen tjetër do të kualifikohen në gjysmëfinale “play-offit” të Superligës së Kosovës në basketboll.

Takimi ishte i dominuar nga pejanët të cilëve nuk iu rrezikua fitorja në asnjë momente.

Madje skuadra e udhëhequr nga trajneri Dragan Radoviq kishte epërsi edhe deri në 26 pikë në këtë përballje.

Lojtari më i dalluar te Peja, ishte Laron Dandy me 23 pikë 11 kërcime dhe pesë asistime. Te pejanët me lojë të mirë u dallua edhe Lis Shoshi që shtoi 18 pikë e 14 kërcime.

Te Prishtina me lojë të mirë u veçua Fisnik Rugova me 16 pikë e nëntë kërcime.