KB Peja do ta ketë në dispozicion qendrën Brandon Walters prej ndeshjes së parë finale kundër Golden Eagle Yllit por jo edhe plejmejmerin AJ Walton. Këtë vendim e ka marrë Komisioni Arbitrar i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) pas ankesës së KB Pejës në vendimet e Komesarit të Garave. Komesari i Garave i kishte dënuar dy amerikanët e Pejës me nga dy ndeshje moslojë për shkak të përfshirjes në përleshjen që kishte ndodhur pas përfundimit të pjesës së parë në duelin kundër Ponte Prizrenit, i cili është regjistruar me rezultatin zyrtar 20:0 në të mirë të pejanëve.
“Nga provat përkatëse, e veçanërisht video incizimet e incidentit, shihet qartë se z. Brandon Walters sulmohet fizikisht nga dikush nga turma e personave të mbledhur afër daljes nga salla. Në reagim të goditjes së pranuar, dhe në vetëmbrojtje, si të cilësuar nga Komisioni i Arbitrazhit, është përfshirë në përleshjen që kishte pasuar. Rrjedhimisht, Komisioni konsideron se veprimet e z. Walters ishin brenda proporcionalitetit të paraparë sipas Nenit 13 të Rregullores Disiplinore. Prandaj, Komisioni vlerëson dhe vendosë që Pika 9 e Vendimit të Komesarit të Garave të anulohet dhe z. Brandon Walters t’i lejohet vazhdimi i angazhimit në KB Peja pa pengesa”, thuhet në vendimin e Komisionit Arbitrar për qendrën Walters.
Ndërsa, sa i përket plejmejkerit Walton, vendimi prej dy ndeshjeve moslojë për të nga Komesari i Garave mbetet në fuqi. “Në anën tjetër, po të njëjtat prova tregojnë se z. AJ Walton është përfshirë në përleshjen në fjalë, dhe sipas video incizimeve, shihet qartë se ka tejkaluar masën e përdorimit të forcës proporcionale që lejohet sipas Nenit 13 të Rregullores Disiplinore, duke vazhduar përleshjen edhe pas ndërhyrjes së personave zyrtar.
Pra, nga provat shihet se lojtari në fjalë vazhdon përleshjen edhe pas krijimit të mundësisë për tërheqje dhe insiston në vazhdimin e ballafaqimit fizik. Rrjedhimisht, Komisioni vlerëson dhe vendosë q Pika 10 e Vendimit të Komesarit të Garave të mbetet në fuqi dhe z. AJ Walton të zbatojë ndëshkimin e shqiptuar nga Komesari i Garave në Pikën 10 të Vendimit të tij”, përfundoi vendimi. Seria e ndeshjeve finale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll ndërmjet Pejës dhe Yllit nis sonte prej orës 20:15 në palestrën “Karagaçi” në Pejë ndërsa ekipi që shënon tri fitore do të shpallet kampioni i këtij edicioni.