Pas humbjes së thellë nga Trepça (83:66) në javën e shkuar, skuadra e Pejës është kthyer te fitorja në xhiron e katërt të Superligës së Kosovës në basketboll.
Në ndeshjen e luajtur të enjten në palestrën “Karagaçi” me të cilën edhe u hap xhiroja e katërt, Peja ka triumfuar ndaj skuadrës Prizreni-16 me rezultatin 89:82.
Për Pejën, kjo është fitorja e tretë këtë edicion ndërsa Prizreni-16 e pësoi humbjen e dytë këtë edicion karshi dy fitoreve.
Më i dalluari te Peja në këtë fitore, ishte kapiteni Dardan Berisha. Berisha e mbylli ndeshjen me 29 pikë të shënuara, i përcjellë nga Henrik Shirko (15) Stephen Maxwell (14), Ilter Erdem (13).
Në anën tjetër, te Prizreni-16 më efikasi ishte amerikani Ty Nichols me 31 pikë të realizuara, pesë kërcime e gjashtë asistime. Ndërkohë, Urim Zenelaj dhe Courtney Fells patën nga 15 pikë të shënuara secili por që nuk mjaftuan për ta evituar humbjen nga Peja.