Dy skuadrat më të njohura sportive nga qyteti i Pejës kanë mbetur pa trofe në edicionin që është në fazën përfundimtare, 2020/2021. Madje, njëra prej tyre nuk ia ka dalë që të sigurojë mbetjen në elitën e Kosovës.
Por megjithëkëtë, Peja është rikonfirmuar qytet i sportit. Tashmë skuadrat pejane kanë fituar tituj të kampionit në tri sporte të ndryshme.
Në të vërtetë, xhudistët pejanë të klubit Ippon, janë pa konkurrencë sa i takon sportit kosovar. Kanë fituar krejt çka mund të fitohet, duke përfshirë edhe medalje të artë olimpike. Xhudistët e Ipponit të Pejës janë nivel plotësisht tjetër sa i takon sportit kosovar.
Megjithatë, klubet pejane po dëshmohen të suksesshme edhe në sportet kolektive. Të mërkurën mbrëma, Besa Famgas e fitoi titullin e kampionit të Kosovës në hendboll (meshkujt). Madje, titullin e tetë rresht dhe të 17-tin prej pavarësimit të sportit kosovar, Besa e fitoi në mënyrë të veçantë. Klubi pejan, që e ka mbështetjen e fuqishme të kompanisë “Famgas”, i ka fituar bindshëm të gjitha 28 ndeshjet e stinorit të rregullt. Në gjysmëfinale të plejofit, Besa Famgas shënoi dy fitore të thella ndaj Vëllaznimit. Me dy fitore e kaloi edhe Prishtinën në finale të plejofit. Vetëm në ndeshjen e parë me Prishtinën në Pejë, Besa është sfiduar dhe fituesi u vendos fare në fund. Të mërkurën në Prishtinë pejanët ishin bindës dhe fituan me shifrat 39:32.
Besa ka në përbërje disa prej lojtarëve më të mirë në vend. Po ashtu, e ka lojtarin kryesor të Greqisë, Charallampos Mallios, ikonën e Bosnjë-Hercegovinës, Nikolla Prce, dhe spanjollin, Victor Alonso. Për trajner e ka spanjolli Javier Cabanas. Investimet e kompanisë “Famgas” dhe familjes Idrizi, po e bëjnë dallimin në hendbollin kosovar.
Besa është edhe në gjysmëfinale të Kupës dhe është favorite e madhe për ta fituar edhe atë trofe, pas një jave.
“Sivjet ishte më lehtë. Ndoshta edhe pandemia ka ndikuar që klubet tona të mos jenë financiarisht shumë mirë. Ndërsa, klubi ynë nuk e ka këtë problem. Kemi një sponsor stabil, i cili tani e sa vjet është pjesë e klubit. Stabiliteti financiar, grumbullimi i lojtarëve më të mirë të vendit dhe përforcimet që kemi bërë, kanë bërë dallimin. Kemi synime më të mëdha për Evropë, që vjet nuk i arritëm, por do t’i kërkojmë këtë vit”, ka thënë Egzon Gjuka, njëri prej lojtarëve më të mirë të Besës.
Besa për më shumë se dy muaj është paraqitur pa pivotin Kastriot Jupa, ndërsa në finale i mungoi edhe Drilon Tahirukaj. Jupa në dekadën e fundit është shpallur thuajse rregullisht lojtari më i mirë në Kosovë dhe është pivoti kryesor te Kosova. Në shtatëshen e parë të Kosovës dhe të Besës paraqitet edhe Tahirukaj. Edhe në mungesë të tyre Besa ka vazhduar me fitore.
Dy trofetë tashmë i ka fituar skuadra tjetër nga Peja, ajo e volejbollit. KV Peja (meshkujt) titullin e kampionit e siguroi javën e kaluar. Titulli erdhi pas serisë prej 19 ndeshjeve pa humbje. Në finale të plejofit, Peja fitoi 3:0 në ndeshje ndaj Dritës së Gjilanit.

“Ka qenë e pritshme që do të arrijmë të fitojmë titullin. Tani jemi të kompletuar, sepse djemtë tanë fituan edhe Kupën e Kosovës kohë më parë. Kemi dominuar secilën skuadër, duke e mposhtur nga tri, katër e pesë herë. Jemi 19 ndeshje pa humbje. Kemi pësuar vetëm në ndeshjen e parë, që mendoj se ishte humbje aksidentale, më pas filluam serinë e fitoreve që shkoi deri në fund”, ka thënë trajneri i KV Peja, Qazim Kelmendi.
Derisa suksesi i Besa Famgas dhe deri diku i KV Peja ishte i pritur, befasi të madhe ka shkaktuar Penza, që fitoi titullin e Kosovës në basketboll në konkurrencë të femrave. Bashkimi e Prishtina ishin llogaritur favoritë për titull, por Penza me mobilizim në fillim të vitit arriti te titulli i kampionit.

Kapitenia Valbona Bytyqi udhëhoqi ekipin pejan, ndërsa punë të madhe kryen edhe dy përforcimet amerikane. Penza në serinë finale të plejofit e mposhti Bashkimin me shifrat 3:2. Madje, titullin e festoi në Prizren.
Te basketbollistet, Kupën e kishte fituar Prishtina. Por, angazhimi i pejaneve bëri dallimin në kampionat. Penza titullin e kaluar e kishte fituar në vitin 2017. Madje, titulli i kampionit nuk ishte synim i Penzës në fillim të edicionit. Ambiciet ishin fare të vogla.
“Fillimi nuk ishte aspak i lehtë, pasi e nisëm me vajza të reja. Synimi ishte që ta sigurojmë mbetjen në Superligë, por në fillim të këtij viti erdhën edhe përforcimet dhe ia dolëm të shpallemi kampione”, ka thënë kapitenia e Penzës, Valbona Bytyqi. “Ka pasur ndeshje të forta në përgjithësi këtë sezon dhe mendoj se cilësia te femrat po rritet, gjë që është shumë mirë. Hera e parë në histori është që të gjitha ekipet kanë pasur lojtare të huaja, por gjithashtu kishte edhe trajnerë të huaj. Cilësia ishte shumë e madhe dhe shpresoj që të vazhdohet kështu edhe sezonin tjetër. I kemi dhënë hijeshi basketbollit të Kosovës edhe ne ekipet e femrave këtë sezon”, ka theksuar Bytyqi.
Klubi i basketbollit Peja ka humbur finalen e plejofit nga Golden Eagle Ylli i Suharekës. Ylli fitoi 3:0 në serinë finale dhe titullin e festoi në Pejë. Nga Ylli, Peja kishte pësuar edhe në finale të turneut nismëtar të Ligës Unike. Kështu KB Peja mbeti pa trofe këtë edicion. Te Peja ka pasur ndryshime të shumta që në fund kishin ndikimin e vet.
Në futboll, Besa e Pejës është e fundit në Superligë dhe edicionin tjetër do të luajë në Ligën e Parë. Besa ishte skuadra dukshëm më e dobët në elitë dhe herët ka humbur gjasat për mbetje në Superligë. Besa, dikur klubi kryesor në vend, është bazuar në lojtarë të rinj dhe rënia ishte e pashmangshme.
Ndonëse qytet i sportit dhe me shumë Kupa, në Pejë ende nuk ka klube të hendbollit dhe të volejbollit për femra. Me krijimin eventual të tyre, numri i Kupave që shkojnë në Pejë do të mund të rritej. Ndonëse për vajza klubet mungojnë në disa prej sporteve kryesore, pejanët vazhdojnë të mburren më së shumti me Majlindën, Norën, Distrinë, Lorianën dhe xhudistet e tjera.