Mamadou Sakho luajti 201 ndeshje për PSG-në dhe 80 ndeshje për Liverpoolin, para se t’i bashkohej Montpellierit pas periudhës së kaluar te Crystal Palace.
33-vjeçari në total pati 49 paraqitje për skuadrën e Ligue 1 në dy vjetët e fundit, por në edicionin aktual është përdorur më shumë si rezervist.
Javën e kaluar pati skandal në qendrën stërvitore të Montpellierit ndërmjet qendërmbrojtësit dhe trajnerit Michel Der Zakarian.
Sipas mediave të huaja, Sakho e ka sulmuar trajnerin në dhomat e zhveshjes, pas një zënke që e patën në stërvitje.
Mediat kanë shkruar se Sakho e ka tërhequr trajnerin dhe e ka rrëzuar në tokë.
Dhe të premten, ai ka njoftuar se do të largohet nga skuadra.
“Për shkak të incidentit në javën e kaluar për të cilin nuk jam fajtor, kam vendosur që ta mbyll bashkëpunimin me Montpellierin”, ka shkruar Sakho në “Instagram”.