Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pas Bullgarisë, Drita kthehet në Kosovë për t’u bërë gati për Plzenin

Nënkampionia e Kosovës në futboll, Drita ka përfunduar fazën përgatitore në Bansko të Bullgarisë dhe tani do të vazhdojë me stërvitje në qytetin e Gjilanit për të qenë sa më e gatshme për ndeshjen e parë zyrtare të edicionit 2023/24, atë kundër Viktoria Plzenit. Për 11 ditë, Drita është përgatitur me intensitet të lartë në Bansko nën urdhrat e trajnerit Akis Vavalis, ku ka shfrytëzuar rastin të zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore. Trajneri nga Greqia është ndarë i kënaqur me punën e bërë në Bankso dhe ka shtuar se tani në Kosovë do të fokusohet në planin e tij të përgjithshëm të punës me skuadrën, saktësisht pjesën ofensive dhe defensive. Deri te ndeshja e parë me Plzenin, Drita ka ende kohë të përgatitet pasi nuk do të luajë deri në fund të këtij muaji. Më 27 korrik e luan ndeshjen e parë në udhëtim, ndërsa më 3 gusht atë të kthimit në Prishtinë, në kuadër të rundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

“Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si ka shkuar faza përgatitore dhe se si janë përgatitur lojtarët gjatë kësaj periudhe në Bansko. Kemi punuar shumë me gjendjen fizike dhe aspektet taktike. Kushtet ishin shumë të mira në Bansko dhe në përgjithësi mund të them se zhvilluam një fazë të mirë përgatitore për 11 ditë. Pas kësaj, ne do të vazhdojmë me punën në Gjilan, ku do të fokusohemi në pjesën ofensive e defensive, si dhe planin e përgjithshëm që e kemi”, ka thënë Vavalis, i cili ka thënë se gjëja më e rëndësishme ishte se asnjëri prej lojtarëve nuk ka pasur ndonjë lëndim, ndërsa veçoi rikthimin e sulmuesit të krahut, Almir Ajzeraj.

Vavalis ka folur edhe për transferimet që ekipi i Dritës i ka bërë gjatë kësaj vere. Ai ka shtuar se edhe në këtë aspekt është i kënaqur, duke thënë se kryesia e klubit brenda një periudhe shumë të shkurtër e ka kompletuar ekipin me lojtarët që i ka kërkuar. Ka thënë se ata janë adaptuar me pjesën tjetër të ekipit dhe gradualisht po arrijnë nivelin e duhur fizik.

“Në përgjithësi jam shumë i lumtur me motivimin dhe qasjen e tyre të adaptimit për punë, ndërsa lojtarët e rinj janë pritur shumë mirë nga lojtarët e tjerë. Përforcimet po adaptohen me ekipin, filozofinë e lojës dhe nivelin fizik. Kryesia brenda një kohe shumë të shkurtër ka kompletuar ekipin me lojtarët që kemi dashur dhe pas kësaj na mbetet që ata të adaptohen dhe arrijnë nivelet fizike”, tha ai.

Krahas përgatitjeve në Bansko, Drita ka zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore. Të dyja ndeshjet i ka humbur. Është mposhtur 2:0 nga Craiova dhe 1:0 nga Politehnica Iasi. Vavalis ka shtuar se përkundër lodhjes nga përgatitja fizike, Drita ka treguar paraqitje të mirë në të dyja miqësoret.

Edhe Drita përfundon përgatitjet në Bansko të Bullgarisë Futboll Drita përfundon përgatitjet në Bansko të Bullgarisë

“Ne nuk e kemi ulur fare ritmin e punës pavarësisht ndeshjeve miqësore dhe kjo është shumë e mirë për këtë fazë përgatitore”, u shpreh Vavalis, i cili foli edhe për duelin me Viktoria Plzenin. “Sa i përket ndeshjes së parë zyrtare të edicionit të ri, mund të them se si ekip do të jemi në gjendjen që të gjithë dëshirojmë të jemi, të gatshëm”.

Drita është ekipi i vetëm kosovar që edicionin 2023/24 në garat e UEFA-s e nis prej rundit të dytë kualifikues. Për gjilanasit, ky do të jetë hera e shtatë që do të paraqiten në arenën ndërkombëtare.