Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci beson që skuadra e tij do të këndellet në shtator.
Shqipëria ka zhvilluar dy ndeshje shumë të dobëta miqësore, në të cilat ka humbur fillimisht nga Kosova 0:3 dhe më pas nga Ukraina 1:4.
Mediat në Shqipëri fajin kryesor ia lënë trajnerit Panucci, nën udhëheqjen e të cilit, kuqezinjtë kanë pasur një rënie drastike të lojës.
Por vetë Panucci premton që ekipi do të këndellet për ndeshjet e Ligës së Kombeve që fillojnë në muajin shtator, ku pret të ketë ekipin e kompletuar.
“Në kombëtare nuk shoh asgjë kaq të rëndë dhe kaq katastrofike, sikurse duan që të duket. Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë negative, sepse skuadrës i kishte mbaruar benzina. Jemi pa Bashën, Xhakën, Memushajn, Grezdën, Sadikun. Mavraj ka 5 muaj që nuk luan, Memolla gjithashtu, kishte 5 muaj pa luajtur”, ka thënë fillimisht Panucci.
“Nuk kishim forcë, nuk kishim këmbë. Nuk kishim mendimin për të sulmuar. Duhet ta pranojmë situatën, duke shpresuar që të na kthehen shumë futbollistë. Më pëlqejnë kritikat, por kur janë të drejta dhe të ekuilibruara. Duhet të presim dy muaj për ndeshjet e tjera, por jam i bindur se, kur të jemi të gjithë bashkë, do të bëjmë një skuadër të mirë dhe do të provojmë të shkojmë në Evropian”, ka theksuar ai.
Në Ligën e Kombeve, Shqipëria do të luajë përballë Izraelit dhe Skocisë.